DURRES – Kufoma e një femre u gjet dje në një kanal në zonën e Ishmit në Durrës. Banorët e zonës kanë lajmëruar mbrëmë policinë për praninë e trupit të një njeriu, i pamundur për t’u identifikuar. Policia e Durrësit, me ekspertë të saj mbërritën në vend, në një zonë të thellë të komunës Ishëm, duke bërë këqyrjen e parë të kufomës. Nga të dhënat e para rezulton se viktima ishte e moshës 25-30 vjeçe, thuajse drejt dekompozimit të plotë. Këqyrja e parë që kanë bërë ekspertët nuk tregonte për shenja dhune të jashtme, megjithatë rrethanat e vdekjes së saj mbeten mister. Trupi i pajetë ndodhej në një kanal, i cili nuk ka pasur ujë. Nga banorët e zonës mësohet se ata nuk dinin ndonjë rast të zhdukjes së ndonjë gruaje të re, duke e bërë akoma më të vështirë identifikimin. Policia e ka transferuar kufomën drejt morgut të spitalit të Durrësit për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së saj. Për kryerjen e ekspertizës janë lajmëruar mjekë-ligjorë nga Tirana, ndërsa nga ana e saj, policia po punon për të verifikuar listat e personave të zhdukur gjatë kësaj kohë. Nga ana e policisë pohohet se viktima kishte veshur një palë streçe të zeza dhe bluzë me mëngë të shkurtra. l.m











