Ish-zjarrfikësi, protestë me 3 fëmijët në shkallët e prefekturës

Jul 12, 2011 | 9:28
Protesta e ish-zjarrfikësit me fëmijët dje në durrës

DURRES – Zija Shehu nga Durrësi, babai i 3 fëmijëve, ish-efektiv i stacionit të zjarrfikësve të portit të Durrësit, ka gjetur një mënyrë tepër origjinale për të protestuar për padrejtësinë që sipas tij i është bërë duke e shkarkuar nga detyra. Mesditën e djeshme, ai është vendosur së bashku me 3 fëmijët e tij, njëri prej tyre invalid, përpara prefekturës, ku në mënyrë simbolike ka shtrirë në një batanije djalin e tij të madh. Sipas Shehut, shkarkimi nga detyra ka ardhur pas një testimi të kryer nga përfaqësues të ardhur nga kryeqyteti. Shehu pretendon se është larguar nga vendi i punës pa të drejtë, pasi sipas tij rrëzimi i në testim ka qenë i paramenduar me qëllim zënien e vendit të punës nga një person tjetër. Ai kërkon rivlerësim të asaj çka është shkruar prej tij në testimin e kryer 8 muaj më parë, ndërkohë që ka 24 vjet punë si zjarrfikës. l.m

© Panorama.al

Te lidhura