Shoqëria “Arlis Konstruksion”, përmes mbrojtësit ligjor ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme rimarrjen e pronave të sekuestruara në kuadër të hetimeve që po kryhen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për ish shefin e operacionales, Oltion Bistri.
Bëhet fjalë për 5 apartamente në total, pasuri për të cilat avokati thotë se janë sekuestruar gabimisht dhe se kontrata e blerjes me Bistrin ka qenë prishur përpara se ky i fundit të vihej në pranga për llogari të SPAK.
Sipas shoqërisë “Arlis”, ish shefi i operacionales kishte porositur 5 apartamente në ndërtim, madje bëri edhe pagesën për to, por pas disa kohësh kërkoi prishjen e kontratës, pretendon avokati.
Pasuritë u sekuestruan nga struktura e posaçme, përgjatë procedurës hetimore, ku rezultoi se pronat ishin pjesë e pasurisë se Bistrit.
Këtij të fundit iu sekuestruan apartamente dhe dyqane me vlere totale rreth 3.1 milionë euro, për llogari të hetimeve që po kryhen për dosjen “Metamorfoza”.
Seanca në Gjykatën e Posaçme për këtë çështje u shty në datë 1 tetor në orën 12.00, pas kërkesës së përfaqësuesve të kompanisë për t’u njohur me aktet.
Ish-shefi i Operacionales, është arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza” pasi dyshohet se në vitin 2016 është përfshirë në veprimtari kriminale. Ndaj Oltian Bistrit është ngritur akuza për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Pronat e sekuestruara nga SPAK janë: 22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 – Apartamente; 1 – Vilë; 1 – Truall; 1 – Garazh; 1 – Automjet.
Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro.
Kush është Oltion Bistri
Oltion Bistri sipas dosjes hetimore ishte drejtuesi i strukturës më të rëndësishme të përgjimeve në Policinë e Shtetit, ndërkohë që bashkëpunonte me grupet kriminale.
Emri i tij u zbulua falë deshifrimit nga ana e autoriteteve të drejtësisë belge dhe hollandeze, të komunikimeve të realizuara përmes shërbimit të koduar Sky EncroChat, të cilat iu dorëzuan Prokurorisë së Posaçme. Në njoftimin zyrtar, prokuroria bëri të ditur se “nga hetimet e kryera dhe provat e administruara është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari Oltion Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme”.
Ish oficeri i lartë i policisë, Bistri ka një eksperiencë të gjatë në polici, ku ka mbajtur disa poste me rëndësi. Forcat operacionale të cilat ai drejtoi deri pak ditë përpara arrestimit janë ndër strukturat më të rëndësishme të cilat kryejnë mes të tjerash dhe përgjime ambientale për llogari të prokurorisë. Bistri dyshohet se u ka ofruar elementëve kriminalë, informacione të cilat ai i siguronte për shkak të detyrës.
Gjatë operacionit që çoi në arrestimin e tij, në pranga përfundoi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish punonjës policie, emra të njohur të botës së krimit si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka. Ky i fundit dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje.
Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur ende.
Përgjimet dhe komunikimet me Ervis Martinajn
Panorama ka siguruar detaje nga dosja e SPAK, që çoi në pranga biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-drejtorin e Forcave Operacionale, Oltion Bistri, prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Krimit të Organizuar në policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbega.
Burime për Panorama bëjnë me dije se Oltion Bistrit, sipas dosjes së SPAK, i janë zbuluar komunikime me Ervis Martinajn. Ish-drejtori i Lezhës dhe Durrësit i jepte Martinajt informacione, edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij.
Ndërkohë për sa i përket vrasjes së Gjin Ndojt rezulton se Pëllumb Gjoka ka komunikuar me Ardit Hasanbega duke e pyetur nëse ka prova.
Pëllumb Gjoka: Çfarë ishte ajo që ndodhi mbrëmë?
Ardit Hasanbega: Ja po hetojmë…
Pëllumb Gjoka: keni gjetur prova.?
Ardit Hasanbega: Po disa, të vogla…
Pëllumb Gjoka: Lëre mos u merr më me të.
Ndërkohë për sa i përket Prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lika mësohet se Pëllumb Gjoka komunikonte me të. Prokurori mësohet se ndërhynte në proceset ndaj Bajrajve duke u pushuar akuzat apo mbyllur hetimet. Gjithashtu ndërhynte edhe tek procese të tjera që nuk i kishte vetë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al