
Deputeti i partisë “Fryma e Re Demokratike”, Gazmend Oketa, sqaroi dje se nuk mori pjesë në votimin e aktit normativ të qeverisë për lirimin e banesave të ish-pronarëve, duke hedhur poshtë opinionet se ka bashkuar votën e tij me Partinë Socialiste. “Deklaroj se gjithë sa janë thënë e shkruar nga këto media, të cilat thonë se Oketa bashkoi votën me Partinë socialiste, janë një spekulim i pastër, një diversion politik, dhe kjo pasi unë dje nuk kam qenë i pranishëm në votimin e kryer në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh deputeti i FRD-së. Sipas Oketës, qëndrimi i FRD-së është pro zgjidhjes së problemit të pronës në tërësi. “Kam deklaruar në të gjitha prononcimet e mia të mëparshme si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, se unë personalisht dhe gjithashtu Fryma e Re Demokratike, jemi në favor të zgjidhjes së problemit të pronësisë në tërësi. Jemi absolutisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje përfundimisht, dhe jo për trajtimin e pjesshëm të saj; jemi për trajtime ligjore dhe të pacenueshme, dhe jo për arnime ligjore që sjellin tensione sociale, siç bën dhe akti normativ në fjalë”, u shpreh Oketa.











