Ish-prokurori udhëheqës i gjyqit të Sllobodan Millosheviçit, Geoffrey Nice, flet për Radion “Europa e lirë”. Ai jep opinionin e tij për arrestimin dhe ekstradimin në Hagë të Ratko Mlladiçit, por si dhe për një temë shuam të ndjeshme për shqiptarët: raportin e Dik Martit. Sipas tij, akuzat e tij janë të pabaza dhe të pambështetura në fakte.
Si ish-prokuror udhëheqës në rastin e Millosheviçit, mund të na jepni mendimin tuaj për arrestimin dhe ekstradimin e Ratko Mlladiçit? A mund të flitet për një lojë politike nga ana e Serbisë dhe a po përdoret Haga dhe rastet e krimeve të luftës si mjet politik?
Është shumë e lehtë të gjenden teori konspirative aty ku njihen dhe është shumë e lehtë të gjenden manovra të gabuara politike aty ku mund të njihen. Nuk do të shpreh mendimin tim për një varg gjërash që janë thënë e, sipas së cilave, Beogradi po manipulon me Tribunalin dhe institucione të tjera në rrugën e tij drejt BE-së.
…Sidoqoftë, mënyra se si kanë ndodhur ngjarjet- nëse filloni me supozimin që dihej se ku fshihej Mlladiçi në Serbi deri në dorëzimin e tij dhe se dorëzimi i tij ka qenë më shumë një veprim i planifikuar sesa një veprim shtetëror për zënien e të arratisurit, e nëse kësaj ia bashkoni suksesin që e ka pasur Serbia në marrëveshjet me Tribunalin e Hagës, për shembull lidhur me marrjen e materialeve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes – të panjohura për publikun për aq shumë vjet; nëse keni njohuri të përgjithshme mbi mënyrën se si negocion me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, atëherë ka gjasa që kjo të jetë e mundshme.
A mendoni se drejtësia mund të vihet në vend në rastin e Mlladiçit, duke pasur parasysh se ka kaluar një kohë e gjatë?
Nuk ka arsye që të mos vihet në vend drejtësia. Kjo thjesht nënkupton që duhen siguruar provat më të mira dhe duhen prezantuar në një përmbledhje, duke mos u cenuar nga presioni politik për të përfshirë apo përjashtuar gjëra, të cilat mund të jenë në favor ose disfavor të partive apo aktorëve të tjerë. Natyrisht se mund të ketë një gjykim të drejtë. Mjaft njerëz janë gjykuar 16 vjet pas ndonjë ngjarjeje dhe është zhvilluar një gjykim i drejtë.
Çfarë mendoni për rastin e Ramush Haradinajt? Do të ketë një rigjykim, i cili pritet të nisë në gusht, rigjykim i cili nuk ka nisur për gati një vit që kur Haradinaj është dërguar sërish në Hagë? A mund të ketë një gjykim të suksesshëm?
Nuk mund ta komentoj përfundimin e gjykimit – do të ishte shumë gabim, por çështja që përmendët ju është mjaft interesante dhe nuk ndikon vetëm te Ramush Haradinaj. Kjo është periudhë e gjatë kohore, gjatë së cilës janë mbajtur në arrest disa njerëz duke u shkëputur nga gjithçka, pa të drejtën për kompensim nga Bashkësia Ndërkombëtare. Por, që kur Gjykata urdhëroi Ramush Haradinaj të dalë para gjyqit, duhet të presim përfundimin e gjykimit për të parë se a do të dëgjohet kjo ankesë e veçantë në rastin e tij.
Meqë po flasim për rastet në Kosovë. EULEX-i ka formuar një Taks-Forcë që do t’i hetojë akuzat e bëra në raportin e Dik Martit. Çfarë mendoni se duhet të ketë parasysh kjo Taks-Forcë?
Raporti i Martit, lidhur me transplantimin e organeve njerëzore? Nuk e kam ndjekur veprimin e fundit të EULEX-it, meqë isha i zënë. Kam shkruar mbi raportin e Martit dhe shumë njerëz e shohin si raport i cili dukej se kishte një mungesë të provave, ndërsa dukej se u jepte përparësi propozimeve të cilat ishin më shumë sensacionale të llojit të pohimeve të bëra në konflikte apo luftëra, por që nganjëherë kurrë nuk mund të mbështeten nga provat. Përdorimi i raportit në organizmat europianë – sipas shtypit britanik dhe atij francez, ndërlidhej me përhapjen e dokumenteve për qëllime politike, si për shembull në kohën kur në Kombet e Bashkuara Rusia kërkonte një hetim të veçantë. Ka shumë gjëra, të cilat duhen analizuar në mënyrë të veçantë. Meqë është bërë njëherë, kemi të bëjmë me një veprim të panevojshëm apo të detajuar, i cili nuk është i duhuri këtu, sepse ka nevojë të shikohen shumë dokumente. Por, ka një varg pyetjesh që duhet të shtrohen dhe nuk jam i sigurt nëse Marti ende qëndron prapa raportit të tij – A qëndron ende?
…ka kohë që nuk ka dalë në publik…
…nuk është më i dukshëm. U kam hedhur një sy dokumenteve të publikuara nga një gazetë franceze – rreth 31 faza të dokumenteve të brendshme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dhe disa dokumente të tjera të brendshme. Nëse mbi këtë material janë ndërtuar akuzat e tij, atëherë nuk ka asgjë që do t’i mbështesë akuzat e tij. Natyrisht se aty mund të gjendet një vrimë e zezë, por, nëse i lexoni me vëmendje dhe i shikoni referencat, vëreni se ato janë të pamjaftueshme.











