
Paralajmërimet e ish-paraushtarakëve shqiptarë se do të rigrupohen në qoftë se vazhdon arrestimi i shqiptarëve në rajon, ka shkaktuar hipoteza se përgjigjja ndaj arrestimeve mund të kthehet në një aksion real. Në një shkrim botuar në “SETimes”, ekspertë sigurie nga rajoni kanë vlerësuar situatën dhe probabilitetin e rikthimit të tensioneve në Ballkan. Tetë shqiptarë u arrestuan në Serbi më 4 maj, të akuzuar për krime lufte dhe zotërim të paligjshëm armësh, dhe 20 të tjerë në Maqedoni në lidhje me vrasjen e pesë civilëve maqedonas pranë Shkupit, në prill. “Dy duar për një kokë, themi ne. Nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha për “SETimes” Jonuz Musliu, ish-shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit (UÇPMB). Ai theksoi se “zgjidhja paqësore është më e preferuara, por nuk ka vullnet në Beograd për një të tillë”. Në Maqedoni, Xhezair Shaqiri apo “Komandant Hoxha” i UÇK-së, tha se ish-komandantët e organizatës u takuan për të konsideruar rimobilizimin e trupave “në rast se provokimet vazhdojnë”. Analisti maqedonas, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Jashtme, tha se “Problemi që ushqen gjendjen, është statusi i pazgjidhur i Kosovës së Veriut. Duket se ka përpjekje për të mbajtur kontrollin mbi Kosovën duke destabilizuar rajonin. Dëgjojmë thirrje me zë më të lartë për Shqipërinë e Madhe apo Kosovën e Madhe nga grupe ekstremiste”. Por Valbona Zeneli, profesoreshë e sigurisë kombëtare në Qendrën Europiane për Studime të Sigurisë Xhorxh C. Marshall në Garmish-Partenkirçen, tha se nuk ka arsye të mendosh se ish-luftëtarët shqiptarë do të rigrupohen në të dyja vendet, vetëm për llogari të ngjarjeve më të fundit. “E vërtetë, këto lloj ngjarjesh rrezikojnë të ndezin gjendjen. Çdo përshkallëzim përfundimtar i tensioneve kërcënon sigurinë e paqen në rajon; dëmton nevojën për një marrëdhënie normale mes Serbisë e Kosovës; ndikon negativisht mbi vazhdimësinë e bisedimeve teknike dhe më e rëndësishmja, zbatimin e marrëveshjeve të arritura së fundmi”, tha Zeneli për “SETimes”. Ajo shtoi se shqiptarët në Maqedoni vepruan mençurisht në dënimin e vrasjeve të pesë civilëve e në angazhimin për të nxjerrë autorët e krimit përpara drejtësisë, pavarësisht nga etnia. “Ata kanë kontribuar e duhet të vazhdojnë të veprojnë si shtetas të përgjegjshëm të Maqedonisë, për begatinë e vendit dhe integrimin e tij në institucionet euroatlantike”, tha Zeneli. Studiuesi serb në Qendrën për Politikën e Sigurisë në Beograd, Marko Millosheviç, tha se gjendja ekonomike e keqe dhe niveli i krimit të organizuar po përkeqësonin paqëndrueshmërinë me bazë etnike. “Grupe të ndryshme kriminale po e përdorin këtë për interesat e tyre dhe Kosova përbën një strehë të sigurt për shumicën e këtyre grupeve, shqiptarë nga Maqedonia e Serbia, bashkë me kriminelët serbë në Kosovën e Veriut”, tha Millosheviçi për “SETimes”. Sipas Zenelit, “masat parandaluese nga komuniteti ndërkombëtar dhe bashkëpunimi rajonal janë të nevojshme, si për të zgjidhur çështjet e vjetra, ashtu edhe për të vështruar përpara nga e ardhmja për stabilitetin e sigurinë në rajon”. (SETimes)











