
“Investimet që po bëhen në veri për rindërtimin e shtëpive të djegura dhe të shkatërruara nga luftë, paraqet investimin më të madh që po bëhet në gjithë Kosovën.”
Këto komente i ka bërë në veri të Mitrovicë, në oborrin e shtëpisë së Ali Kadriut, ish-kryeministri i Shqipërisë, aktualisht deputet i PS-së, Pandeli Majko.
Këto të arritura, ndërtime, përbëjnë një fakt që Mitrovica mos të llogaritet më vetëm me atë zhavorrin tek ura, por të shikohet si një qytet normal, ka thënë Majko, duke shtuar se, Mitrovica nuk është vetëm bursa e stabilitetit të Kosovës, por është bursa e një stabiliteti të përgjithshëm rajonal.
Ish kryeministri shqiptarë ka qëndruar në komunën e Mitrovicës, ku është njoftuar për situatën nga kryetari Kastrati. Më pas bashkërisht kanë qëndruar në shtëpinë e Florent Azemit, përfaqësues i shqiptarëve të Lagjes së Boshnjakëve në veri.
Vizita ka vazhduar në Kroin e Vitakut, ku ish-kryeministri Majko dhe kryetari Kastrati kanë ndaluar në afërsi të shtëpive të Ali Kadriut. Pandeli Majko në këtë vizitë është shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Lladrovci si dhe nga vëllai i tij.
Ndërsa në faqen e tij zyrtare në facebook, Majko i komenton kështu ditët e tij në Kosovë; “Në kufi kalova në mënyrë të “paligjshme”…Nuk na vulosën pasaportat. Thjesht një përshëndetje…Kjo ma bëri edhe më të fortë ndjenjën që thjesht po kthehesha në një shtëpi ku më presin familjarët e mij…”
© Panorama.al











