Ish-kreu i stadiumit, zhduken 20 mijë lekët e ryshfetit në Tiranë

Aug 19, 2011 | 9:36

TIRANE- Ish-drejtori i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, është akuzuar publikisht nga policia për marrjen e një shume ryshfeti prej 150 mijë lekësh, por në procesverbalet e dosjes thuhet se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 130 mijë lekë. Zhdukja e 20 mijë lekëve, kartëmonedha të cilat janë sekuestruar prej policisë gjatë arrestimit të ish-drejtorit të stadiumit, është bërë e ditur nga burime të hetimit në prag të daljes së Gazmend Sallakut para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Ish-drejtori i stadiumit pritet të dalë sot para gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij me akuzën e korrupsionit të kryer nga zyrtarët që ushtrojnë funksione publike. Akuza i referohet ngjarjes së ndodhur më 15 gusht 2011, kur në një ambient pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ish-drejtori i stadiumit, Gazmend Sallaku, u arrestua në flagrancë, duke marrë një shumë parash nga biznesmeni me iniciale P.L. disa orë pas aksionit, policia deklaroi se ish-drejtori i stadiumit kishte marrë nga biznesmeni një ryshfet prej 150 mijë lekësh të rinj (1.5 milionë lekë të vjetër). Mirëpo, ditën e djeshme nga burime të hetimit është mësuar se të sekuestruara në dosjen penale të ngjarjes dhe me procesverbale, janë vetëm 130 mijë lekë. Nuk është e qartë se si ka ndodhur që kanë humbur 20 mijë lekë të rinj nga shuma për të cilën i arrestuari akuzohet se e ka marrë në mënyrë të paligjshme nga biznesmeni. Sipërmarrësi ishte takuar me Gazmend Sallakun më 15 gusht, pasi kishte biseduar me të në muajin korrik në lidhje me marrjen e një ambienti me qira tek Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. E drejta e shfrytëzimit të ambientit jepej nga Drejtoria e Stadiumit Kombëtar, mirëpo pas “problemeve” me të cilat është ndeshur biznesmeni i ka dhënë zyrtarit 150 mijë lekë të rinj. Të gjitha kartëmonedhat ishin fotokopjuar më parë në polici, për të shënuar kështu numrat e tyre të serisë. Për këtë shkak ato u bllokuan në cilësinë e provës materiale pas ngjarjes, mirëpo 20 mijë lekë nga shuma totale nuk janë gjetur. Objekti i hetimit lidhet me përpjekjen e biznesmenit për të marrë me qira ambientin prej 80 metrash katrorë.

© Panorama.al

Te lidhura