Ish-i dënuari politik kapet me 4 kilogramë hashash

Aug 8, 2011 | 9:47

TIRANE – Një ish-i dënuar politik është arrestuar dy ditë më parë nga forcat e Antidrogës së Tiranës, pasi akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, i arrestuari është Haxhi Kurushi, 54 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Ai u arrestua pranë banesës së tij, në një pallat përballë Ambasadës Amerikane. Të njëjtat burime thanë se fillimisht ai është ndaluar teksa po pinte kafe në një lokal tek Rruga e Elbasanit, pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, ku gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij i janë gjetur dy qese me bimë narkotike, kanabis sativa. Fillimisht ai e ka justifikuar bimën narkotike para policisë me faktin se është përdorues. Por, forcat e policisë këmbëngulën për kontroll banese, pasi kishin të gjitha informacionet se qeset me bimë narkotike nuk ishin për përdorim vetjak, por për shitje. Gjatë kontrollit në banesën e tij pranë Ambasadës Amerikane, policia gjeti dhe sekuestroi edhe dhjetëra qese të tjera me hashash, të cilat ishin ndarë në pako gati për shitje. Pas peshimit të sasisë së gjetur, sasia totale e sekuestruar, sipas policisë, është rreth 4 kilogramë. Menjëherë ndaj 54-vjeçarit Haxhi Kurushi u mor masa e arrestit në flagrancë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga informacionet e mbledhura nga forcat e Antidrogës, rezulton se bima narkotike kishte ardhur nga Lazarati dhe do të tregtohej në zona të ndryshme të kryeqytetit.

© Panorama.al

Te lidhura