Ish-i dënuari politik: Hashashin e gjeta ne plehra, e pija vetë

Aug 10, 2011 | 12:10

TIRANE – Haxhi Kurushi, 57-vjeçar, ish-i dënuar politik, tha dje në Gjykatën e Tiranës se e konsumonte vetë hashashin, për të cilin prokuroria e akuzon se e shpërndante. Kurushi u arrestua mbrëmjen e së premtes, pas dyshimeve se është i përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike. I pranishëm në gjykatë, në caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, Kurushi mohoi akuzën e ngritur nga prokuroria. “Pse, zoti gjyqtar, çdo njeri që gjen gjëra në kazan plehrash u dënuaka? Unë s’kam lekë. Unë mbledh kanoçe”, foli pa leje në seancë, ende pa nisur përfaqësuesi i Akuzës të paraqiste aktakuzën para gjyqtarit të gatshëm, Neritan Cena. Më pas ai shpjegoi se lëndën për të cilën akuzohej e kishte gjetur teksa kërkonte për kanoçe në kazanë plehrash dhe e kishte marrë në banesën e tij. I pyetur nga gjyqtari se çfarë kishte bërë me të, 57-vjeçari u përgjigj se e pinte vetë. “Unë kam bërë 20 vjet burg në komunizëm. Duke kërkuar për kanoçe, e gjeta në një kazan plehrash. E mora dhe e çova në shtëpi. Te shtëpia e piva vetë”.
Sipas prokurorisë, Kurushi akuzohet për “mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike”. “Nga shërbimet policore është bërë i mundur arrestimi i Haxhi Kurushit, në kushtet e flagrancës, ditën e premte. Nga kontrolli personal atij i janë gjetur në çantë 5 qese farmacie me lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis sativa. Nga kontrolli në banesë i janë gjetur edhe 101 qese farmacie të mbushura me lëndën e dyshuar si Cannabis”, tha prokurori. Sipas prokurorit, në total, lënda narkotike e sekuestruar si provë materiale është 3 kilogramë e 360 gramë. Në përfundim, prokurori kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 57-vjeçarin. Avokatja e tij mbrojtëse kërkoi një masë me të butë sigurie duke argumentuar para gjykatës me gjendjen jo të mirë shëndetësore të të pandehurit.          ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura