“Ia thashë kreut të SHISH, por ai s’e mori parasysh. SHIU nuk mund dhe nuk bën përgjime politike”
Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, për herë të parë rrëfen për gazetën “Panorama” arsyet e sulmeve ndaj tij nga deputetët e opozitës.
Sipas Zylës, zanafilla e përplasjes ka nisur që me përfshirjen e SHIU-t në zbulimin e trazirave të 21 janarit. Ish-drejtori i SHIU-t u përgjigjet akuzave për përgjim të deputetëve dhe versionin e tij të ngjarjes së 21 janarit. Zoti Zyla, si i konsideroni akuzat nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj për veprimtari të paligjshme nga ana e SHIU-t?
Kam ndjekur me vëmendje sulmet që janë bërë ditët e fundit ndaj meje personalisht, familjes sime, duke goditur në këtë mënyrë integritetin e institucionit të SHIU-t. Dëshiroj t’ju garantoj se Shërbimi Informativ Ushtarak e zhvillon veprimtarinë e tij brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore. Misioni i SHIU-t, sipas ligjit “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, është që të grumbullojë, analizojë dhe administrojë të dhëna për veprimtaritë që cenojnë sigurinë kombëtare, kërcënime të mundshme ose rreziqe ndaj Forcave të Armatosura, që vijnë nga jashtë ose shfaqen brenda vendit, për t’i paraqitur te autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura, për t’i mbështetur gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre. Në funksion të përmbushjes së misionit të tij dhe garantimin e sigurisë kombëtare, ndër të tjera, shërbimi në zbatim të ligjit të sipërcituar, SHIU grumbullon, analizon, dhe paraqet informacion për veprimtari që lidhen me spiunazhin, terrorizmin, sabotimin, subversionin në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura dhe për çdo veprimtari që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Për sa më sipër, më lejoni që të bëj me dije se e tërë veprimtaria e SHIU-t është e mbështetur në Kushtetutë dhe ligje, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Cili ka qenë roli i SHIU-t në ngjarjet e 21 janarit, pasi Kryeministri ka deklaruar se ju keni dhënë informacion paraprak për trazira të mundshme?
Unë mendoj se informimi i SHIU-t për ngjarjen e 21 janarit është fillesa dhe arsyet e akuzave drejtuar SHIU-t. Duke qenë se për këtë ngjarje është folur shumë, më lejoni që ta informoj opinionin publik me rolin dhe aktivitetin e SHIU-t lidhur me këtë ngjarje. Paraditen e 21 janarit, nga burimet e SHIU-t, jam informuar verbalisht se elementë të inkriminuar që do të marrin pjesë në protestë, do të kryenin akte dhune ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe selisë së LSI-së. Këtë informacion, menjëherë e kam përcjellë te ministri i Mbrojtjes, i cili më autorizoi që këtë informacion ta ndaja me Shërbimin e Informativ të Shtetit. I kërkova takim drejtorit të SHISH-it dhe i bëra të ditur informacionin që kishim. Nga ana e drejtorit të SHISH-it ky informacion nuk u mor parasysh, duke më thënë se “ne nuk kemi informacione apo indikacione që të vërtetojnë se do të ketë dhunë gjatë protestës”. Pas takimit me drejtorin e SHISH-it, kam informuar ministrin e Mbrojtjes për gjithçka bisedova dhe më tha drejtori i SHISH-it. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011 vërtetoi informacionin e SHIU-t. Më lejoni që të theksoj se SHIU nuk është investuar në ngjarjet e 21 janarit. Informacioni i ardhur është rastësor nga burime njerëzore dhe me indikacione të qarta për përdorim dhune. Në këtë situatë dhe në zbatim të ligjit, këtë informacion ia kemi përcjellë ministrit të Mbrojtjes dhe e kemi ndarë me Shërbimin Informativ të Shtetit. Si janë marrëdhëniet tuaja me SHISH-in?
Kanë ndryshuar tërësisht dhe njëanshmërisht pas 21 janarit. A keni ju pajisje dhe a ka bërë SHIU përgjime të natyrës politike, siç deklaron kryetari i Partisë Socialiste?
Unë e garantoj opinionin publik se SHIU nuk mund, nuk ka bërë dhe nuk bën, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, përgjime të kësaj natyre. SHIU funksionon brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit, dhe kjo është e provueshme. Jeni akuzuar nga PS se ju dhe bashkëshortja jeni përfshirë në trafik armësh. Madje, zoti Gjoni ka përmendur edhe një biznesmen serb si ortak të bashkëshortes suaj.
Siç dhe e theksova më lart, unë mendoj se i gjithë sulmi ndaj SHIU-t bëhet për shkak të 21 janarit. Unë dhe familja ime nuk jemi të përshirë në asnjë lloj tregtie armësh. Lidhur me konfliktin e përfolur të interesit, i jam drejtuar zyrtarisht Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke i kërkuar interpretim nëse kemi të bëjmë me konflikt interesi, dhe për këtë mund të drejtoheni edhe ju tek Inspektorati për të marrë një përgjigje. Përse është refuzuar kontrolli parlamentar në institucionin që keni drejtuar? A mund të kryhet kontroll parlamentar në një institucion si SHIU?
Në një shoqëri demokratike, të gjitha institucionet janë dhe duhet të jenë të kontrollueshme. SHIU, bazuar në nenin 18 të ligjit 9074, datë 29.05.2003 “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, është subjekt i kontrollit nga Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Ministri i Mbrojtjes raporton për veprimtarinë e SHIU-t para këtij komisioni të paktën një herë në vit, siç ka ndodhur në shtator të 2011-s, si dhe sa herë kërkohet nga ana e Komisionit, duke pasur parasysh ruajtjen e burimeve dhe informacionit të klasifikuar, sipas legjislacionit që normon këtë marrëdhënie. SHIU nuk ka pasur kërkesë dhe nuk ka refuzuar asnjë kontroll nga asnjë institucion që është ngarkuar nga ligji për të kontrolluar dhe mbikëqyrur veprimtarinë e SHIU-t. Ju keni ofruar dorëheqjen para Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Partia Socialiste është shprehur se ka diçka që fshihet pas kësaj dorëheqjeje. Çfarë fshihet sipas jush?
Është e vërtetë që unë i kam ofruar dorëheqjen ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit, si një akt qytetar dhe civil, sipas motivacionit që unë e kam bërë publik. Pas këtij akti fshihet morali dhe integriteti i familjes sime dhe i imi personalisht. Ky akt i ndërmarrë nga ana ime u bë për të mbrojtur integritetin e SHIU-t si një shërbim inteligjence i një vendi anëtar i NATO-s. Ka shprehur NATO-ja ndonjë shqetësim për veprimtarinë e SHIU-t dhe cilat janë marrëdhëniet e këtij institucioni me strukturat e Aleancës?
SHIU ka marrëdhënie të shkëlqyera me strukturat e inteligjencës së NATO-s, duke kontribuuar me personel dhe informacion; është anëtar i të gjitha strukturave të inteligjencës së NATO-s dhe kontributi që SHIU ka dhënë është vlerësuar nga drejtuesit më të lartë të inteligjencës së NATO-s. Veçanërisht që pas anëtarësimit të vendit në NATO, janë ndërmarrë reforma strukturore në funksion të integrimit të të gjitha kapaciteteve tona të inteligjencës ushtarake në funksion të përafrimit dhe ngritjen e standardeve të SHIU-t, të barabartë me strukturat e Aleancës.
Ylli Zyla dha dorëheqjen pas akuzave për trafik armësh
Vetëm pak ditë më parë, drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, kolonel Ylli Zyla, u paraqiti dorëheqjen Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes Imami. Në motivacionin që ka shoqëruar këtë dorëheqje, kolonel Ylli Zyla shprehet: “Unë, i nënshkruari kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në një të përditshme, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar i NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjike të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”.
PS: Kemi indicie për përgjimet
Deputeti i PS, Ilir Gjoni, kërkon që opozita të lejohet të kontrollojë në Ministri “Tregti korruptive armësh dhe përgjime të paautorizuara”
Ilir Gjoni dje në konferencë për shtyp
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni, e akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se po shkel Kushtetutën duke mos lejuar kontrollin parlamentar ndaj këtij dikasteri. Deputeti i PS-së theksoi se opozita disponon indicie të qarta për tregtinë e armëve të kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe tejkalimin e kompetencave të Shërbimit Informativ Ushtarak në përgjimin e deputetëve të majtë. Gjoni kërkoi më tej nga ministri Imami që të kërkojë shpjegime nga ish-drejtori i SHIU-t, Ylli Zyla, për përfshirjen e tij në tregtinë e armëve. “Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime, siç janë mediat, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë, siç ishte rasti i Berishës më 21 janar kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, dhe vetë fakti që Ministria pengon mbikëqyrjen e Parlamentit, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve, siç mund të jenë dhe përgjimet e paauto-rizuara. Ministri Imami, para se të dalë me deklarata publike, bën mirë ta pyesë ish-drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se kush është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare”, theksoi dje Gjoni. Kontrolli
Mbikëqyrja e punës së Ministrisë së Mbrojtjes, sipas Ilir Gjonit, do të bëhet me çdo kusht dhe refuzimi i kontrollit parlamentar është një kosto shumë e rëndë për vendin. “Refuzimet e përsëritura nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për të mos pranuar mbikëqyrjen parlamentare janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit, e cila, në gjykimin tonë, buron nga një kulturë mbisunduese papërgjegjshmërie para ligjit, fodullëku korruptiv dhe pandëshkueshmërie. Për Këshillin e Miliarderëve të Saliut më shumë vlerë ka diskrecioni i tyre, sesa ligji”, theksoi deputeti i PS. Më tej, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë kërkoi nga Kryeministri Berisha të mos e trajtojë Ministrinë Mbrojtjes si një pronë private, por të lejojë mbikëqyrjen e Legjislativit. “Ministria e Mbrojtjes nuk është pronë as e Saliut, as e Arbenit. Ajo u përket gjithë shqiptarëve, është simbol i unitetit tonë. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë krenaria e vendit. Ushtarakët dhe nëpunësit e përkushtuar të këtij dikasteri nuk e meritojnë këtë damkë antikushtetuese që po u vënë drejtuesit e papërgjegjshëm të saj. Dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se do apo nuk do ministri i Mbrojtjes apo Saliu, deputetët e Kuvendit do ta kryejnë detyrën e tyre. Komisioni i Sigurisë, edhe në mbledhjen e djeshme rikonfirmoi vullnetin e tij për të ushtruar funksionet e veta siç ia njeh ligji e Kushtetuta, për ta rifutur në hullitë kushtetuese këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit që është kapur nga një klan abuziv e antikushtetues”, theksoi deputeti i PS.
Rama: Imami përgjon deputetët e PS
Kryetari i Partisë Socialiste hodhi akuza të forta ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, se po përgjon deputetët e opozitës. Gjatë fjalës së tij para deputetëve socialistë, Rama tha se përgjuesit do të përgjigjen pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Ashtu sikundër kemi informacione të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie të paligjshme që shtrihet deri në përdorimin
e mjeteve të Ushtrisë për përgjime me natyrë politike ndaj opozitës. I siguroj përgjuesit se do të përgjigjen në zgjedhjet
e ardhshme”, u shpreh Rama para deputetëve socialistë.
Imami: Mbikëqyrja nuk është “kontroll punëtor”
Arben Imami
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka reaguar dje lidhur me akuzat e opozitës për tregti armësh dhe përgjime të natyrës politike. Deklaratën e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, ministri i Mbrojtjes e ka cilësuar si një korrigjim të deklaratës së kryetarit të opozitës. Imami, në reagimin e tij kërkon nga deputetët e PS-së që të tregojnë durim dhe të presin seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë. “Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, mirëpret korrigjimin që deputeti Ilir Gjoni i bëri sot kryetarit të tij duke u tërhequr nga akuzat për trafik armësh në atë për tregti armësh, nëse kjo e fundit mund të konsiderohet akuzë. Zoti Gjoni foli për dyshime, të cilat do të marrin shpjegimet përkatëse në seancën dëgjimore të kërkuar nga Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare me ministrin e Mbrojtjes javën e ardhshme. I bëjmë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste dhe ndihmësve të tij të kenë durimin dhe qetësinë për të dëgjuar me vëmendje shpjegimet që do të japë ministri i Mbrojtjes”, thuhet në reagimin e Imamit. Ministri i Mbrojtjes e cilëson si jo normal kontrollin, sipas tij, kërkon të realizojë opozita. “Njëkohësisht, ndihemi të detyruar të sqarojmë për të disatën herë se mbikëqyrja parlamentare nuk përputhet me “kontrollet punëtore” që rëndom organizoheshin një herë e një kohë. I kujtojmë zotit Gjoni në veçanti se Revolucioni i Madh Kinez ka mbaruar. Po ashtu, kryetari i Partisë Socialiste është i lutur të ndikojë sipas mundësive në përmirësimin e fjalorit dhe etikës së komunikimit publik të vartësve të tjerë”, thuhet në qëndrimin e ministrit Imami.
Imami më 16 korrik raporton në Kuvend
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të raportojë në Kuvend më datë 16 korrik për akuzat e opozitës për tregti armësh dhe abuzime me strukturat e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Deputeti i PD-së, Luan Skuqi, propozoi në Komisionin e Sigurisë që për të gjitha pikat e kërkesës hetimore, t’i kërkojë Ministrisë së Mbrojtjes që të sjellë dokumentacionin zyrtar dhe më pas të dëgjojë raportimin e Arben Imamit. Por, kjo kërkesë për të hequr dorë nga mbikëqyrja në institucion dhe kalimi i hetimit vetëm në rrugën shkresore në Komision është cilësuar nga opozita si tentativë për të shmangur kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Lutaj: Topalli të marrë pjesë në Komision
Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, kërkoi dy ditë më parë që në Komisionin e Sigurisë të merrte pjesë dhe kryerja e Kuvendit, në mënyrë që të vihej në dijeni për përplasjen institucionale me Ministrinë e Mbrojtjes. “I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të mos bëjë të paditurën, por të marrë në analizë këtë çështje, të jetë e pranishme në Komisionin e Sigurisë, të njihet me praktikën për shkak të vakancave që ka marrë jashtë shtetit dhe të bëhet udhëzuese e deputetëve për të ushtruar një të drejtë kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi Lutaj.