
PRISHTINE- Lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafa nuk i sheh si njerëz të besës ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Ekziston një arsye pse ai e ka krijuar një bindje të tillë për ta. As njëri e as tjetri, sipas tij, nuk po i dalin zot marrëveshjes politike që ishte arritur në prill të vitit të kaluar me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional që ishte krijuar në vend, pas largimit të Behgjet Pacollit nga Presidenca.
Marrëveshja parashihte që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Deri atëherë, në krye të shtetit ishte vendosur të qëndronte oficerja e policisë, Atifete Jahjaga.
Gjithçka ndryshoi në fund të javës së kaluar, kur Gjykata Kushtetuese lëshoi njoftimin se ndërprerja e parakohshme e mandatit presidencial është antikushtetuese.
Duke folur për herë të parë për një medium vendës pas këtij njoftimi, Mustafa ka vendosur t’i nxjerrë në shesh prapaskenat që e kanë përcjellë zgjedhjen e Jahjagës presidente dhe tërë procesin e reformës kushtetuese.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka thënë se gjithçka është zhvilluar në Rezidencën e ambasadorit Dell, në prani të ekspertëve juridikë amerikanë.
© Panorama.al











