
Kur duhen edhe 6 ditë nga ndeshja e Superkupës midis Skënderbeut dhe Tiranës, presidenti i klubit korçar, Agim Zeqo, i ka mbyllur gojën kapitenit Bledi Shkëmbi. Ky i fundit nuk duhet të flasë për mediat, deri në një urdhër të dytë. Duket krejt e habitshme, por në fakt lajmi është konfirmuar nga vetë kapiteni i Skënderbeut. Atij i është ndaluar në mënyrë kategorike të flasë me gazetarët për ndeshjen e Superkupës, por jo vetëm. Të paktën kështu pretendon titullari i korçarëve. Arsyeja e mbylljes së gojës mësohet se vjen pas një deklarate të Shkëmbit disa ditë më parë. Ndër të tjera, në një intervistë për “Panorama Sport” më 29 korrik, ai pohonte se Flamurtari ishte një ekip fushate dhe tashmë nuk llogaritet si rival i Skënderbeut. Kjo, me sa duket, nuk i ka pëlqyer presidentit Zeqo, i cili ka treguar se s’ka dëshirë të merret ende me replika në distancë me klubin vlonjat. Kjo është vërtetuar edhe kur presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka thumbuar klubin e Skënderbeut me prononcimet e tij. “Nuk do të flasë për mediat. Ndoshta vetëm një ose dy ditë para takimit mund të bëj ndonjë koment për ndeshjen e Superkupës. Ky është vendim i presidentit Zeqo, të cilin ma ka komunikuar pak ditë më parë dhe më duhet ta respektoj”, – është shprehur dje Shkëmbi për gazetën. Në fakt, lojtari ka qenë përherë i preferuari i gazetave, duke u bërë protagonist në to, nisur edhe nga deklaratat e forta. Megjithatë, këtë herë në klubin korçar situata nuk është e njëjtë. Edhe pse kjo heshtje duket e dyshimtë, kapiteni jep arsyen e tij përse nuk mund të komentojë asgjë. Ironitë me vlonjatët gjatë gjithë sezonit dhe vazhdimi i akuzave i janë dukur të tepruara drejtuesit të klubit.
Çfare tha Shkembi?
Në një intervistë për “Panorama Sport” më 29 korrik, kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ndër të tjera deklaroi: “Nuk mund të flasim më për Flamurtarin, përderisa lojtarët e këtij ekipi janë drejt largimit. Kjo tregon se ishte një ekip i ndërtuar për qëllime elektorale”. Mirëpo, kjo deklaratë e Shkëmbit nuk u përtyp mirë nga presidenti Zeqo, i cili e penalizoi kapitenin.











