Është shpallur studentja e vitit dhe ka fituar të drejtën e studimeve falas në Universitetin e Virxhinias. Vajza nga Mati numërohet ndër 4 studentët me rezultatet më të larta në historinë e Universitetit Amerikan në Bullgari
Ajo nuk flet shumë, por shndrit e tëra. Kushdo do të ndihej ashtu në vendin e saj. Është shpallur studentja më e mirë në Universitetin Amerikan të Bullgarisë. Irena Palamani është nga Burreli, vajza e mësuese Atlies dhe ekonomistit Halit Palamani. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare “31 Korriku” me rezultate të shkëlqyera, fitoi të drejtën e studimit në Kolegjin Turk “Mehmet Akif”. Mes 1500 konkurrentëve nga e gjithë Shqipëria, u radhit e para. Në vitin 2003 e përfundoi shkollën e mesme me të gjitha notat 10-ta. Konkurron në Universitetin Amerikan të Bullgarisë dhe përfiton bursë të plotë studimi në të parin universitet amerikan në Ballkan pas rënies së komunizmit. Irena është një vajzë fjalëpakë dhe e qeshur. Por mbi të gjitha, shumë e mprehtë. Pak ditë më parë, studentja e degës Ekonomi-Matematikë u diplomua. Mes prindërve të studentëve nga 14 vende të botës ishin edhe ata të Irenës. Ajo nuk i fsheh emocionet e asaj dite të bukur. “Kam marrë përgëzime nga prindërit e studentëve të tjerë shqiptarë dhe kjo më bëri të ndjehem edhe më mirë”, tha Irena. Kur presidenti i Universitetit gjatë ceremonisë, ku ishte e pranishme ministrja e Arsimit të Bullgarisë, përmendi vendlindjen e saj, Burrelin, zemra i rrahu edhe më fortë. “Irena Palamani është studentja më e mirë e vitit dhe gradohet me një mesatare maksimale. Irena ka lindur në Burrel,
Shqipëri, dhe ka ardhur në Universitet me bursë studimi të SOROS-it. Ajo po diplomohet në Ekonomik dhe Matematikë dhe në historinë 20-vjeçare të Universitetit Amerikan në Bullgari vetëm 4 studentë më parë kanë arritur këto rezultate. Irena ka punuar si ndihmës pedagoge për 2 vjet, ku u ka dhënë mësim studentëve të tjerë në Matematikë. Eksperienca e saj si asistente e shtyn të vazhdojë më tej studimet për doktoraturë në Universitetin e Virxhinias, në Amerikë. I urojmë suksese të mëtejshme”, tha ndër të tjera presidenti i shkollës. Për këtë fenomen shqiptar kanë shkruar edhe mediat bullgare. Vajza matjane ka marrë certifikata të shumta si fituese e çmimit të parë për esenë më të mirë: “Kush do të bëhet diplomat”, si ndihmës pedagogia më e jashtëzakonshme në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, si studentja me arritjet më të larta në këtë Universitet, për arritje të shkëlqyera në realizimin e temës së diplomës: “Krahasimi i sistemeve bankare midis Bullgarisë, Turqisë dhe Shqipërisë”, si përfaqësuese e studentëve në departamentin e Ekonomikut dhe për ndihmën e dhënë si këshilluese e studentëve. Irena mendon se Mati dhe Shqipëria kanë kapacitete të shumta intelektuale. Ajo thotë se do të ishte shumë mirë që nxënësit dhe studentët e këtij rrethi të jenë më kërkues ndaj vetes. Mirëpo shkollimi i Irenës nuk mbaron këtu. Ajo do të udhëtojë tani në kontinentin e Amerikës për të vijuar për 5 vjet doktoraturën. Ajo ka fituar të drejtën e studimeve falas në Universitetin e Virxhinias, shkolla më e mirë publike në Amerikë.











