Iran, arrestohen për spiunazh “gazetarët” e BBC-së

Feb 8, 2012 | 11:53

Dhjetëra persona janë arrestuar në Iran, pasi dyshohen se punojnë për Shërbimin Persian të BBC-së, i cili është i ndaluar në republikën islamike. Arrestimet ndodhën vetëm pak ditë pasi BBC akuzoi Iranin, se po ushtron presion ndaj stafit të Shërbimit Persian, duke sulmuar familjarët e personave që punonin jashtë Iranit. Personat e arrestuar akuzohen për mbledhje informacionesh, si dhe rekrutimin e personave të tjerë për gazetarë. Drejtoria e BBC-së e ka mohuar përfshirjen e stafit të saj dhe ka deklaruar se asnjë gazetar që punon për shërbimin e tyre persik, nuk ka hyrë brenda territorit të Iranit. Irani e ka akuzuar BBC-në se është mbulesë e shërbimeve sekrete britanike. Arrestimet ndodhën në një kohë tensionesh mes Iranit dhe vendeve perëndimore për shkak të programit të pasurimit të uraniumit, i cili dyshohet të jetë për qëllime armësh nukleare.

© Panorama.al

Te lidhura