Investimet në titujt shtetërorë

Jul 12, 2012 | 12:41

NEZIR HALDEDA

Në përpjekjet e vazhdueshme për të menaxhuar sa më mirë huamarrjen shtetërore dhe për të diversifikuar bazën pjesëmarrëse/borxhmbajtëse të borxhit publik, kohët e fundit publiku shqiptar po asistohet me më shumë informacion shpjegues dhe komunikim përsa i përket blerjes së titujve shtetërorë (bono dhe obligacione). Kjo ka qenë dhe mbetet një mundësi që ashtu si çdo hapësirë tjetër, meriton vëmendje dhe vlerësim. Konkretisht, në Shqipëri, në 5 vitet e fundit kemi pothuajse dyfishim të pjesëmarrjes së individëve në bono dhe obligacione shtetërore, duke arritur në rreth 13 për qind të pjesëmarrjes totale në tregun e brendshëm.
Ka shumë rëndësi të qartësohet që investimi në asete financiare është po aq i rëndësishëm dhe në shumë raste me kthyeshmëri më të lartë se sa investimi në asete fizike, shtuar këtu faktin që risku është zero. Një suport dhe komunikim i vazhdueshëm e i shtuar duhet të bëhet pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me tregun dhe gjithë aktorët, ku pa dyshim individët janë shumë të rëndësishëm.
Këto ditë ka pasur raste kur publiciteti i shtuar për mundësitë e pjesëmarrjes së individëve në tituj shtetërore në lekë dhe në euro është komentuar sikur qeveria është në “nevojë”. Në fakt, kjo s’ka bazë, sepse ankandet në mënyrë të vazhdueshme kanë pasur kërkesa më të mëdha se sa qeveria ka kërkuar, pra komenti nuk qëndron qoftë vetëm për këtë si evidencë, për më tepër kjo dëshmon që tregu ynë tashmë është më “i thellë” se vite më parë. Komunikimi, përkundrazi, ka shtuar informacionin në dobi të edukimit të individëve për këto mundësi të reja, konkurruese dhe alternative. Kjo linjë komunikimi e diskutimi është në sinkron me strategjinë e huamarrjes publike, por dhe me interesin  e shtuar të individëve, të cilët, pse jo, edhe ata duan të diversifikojnë investimet e tyre, bazën e aseteve, minimizojnë riskun apo sigurojnë flukse hyrëse fikse të qëndrueshme të të ardhurave të tyre nëpërmjet kuponëve  periodikë që iu paguhen.
Ndërkohë, mendoj që jo vetëm kjo që po bëjmë është racionale, por duhet që përveç organizmave shtetërorë, çdo segment i shoqërisë duhet ta mbështesë më tej këtë pjesëmarrje. Në analizë të fundit kjo do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në alokimin e kapitaleve të vendit drejt destinacioneve më eficiente dhe me kthyeshmëri të lartë, kosto të ulët e risk të mbajtur nën kontroll. Qeveria shqiptare, me kuadrin ligjor aktual ka një sistem të thjeshtë ku çdo individ, me një minimum kapitali 300 mijë lekë ose barasvlerën në euro, mund të marrë pjesë, pra nuk kemi barriera të masës së kapitalit për të investuar etj.
Është për t’u përmendur edhe eksperienca ndërkombëtare. Konkretisht, në Itali, gjatë viteve të fundit, por sidomos gjatë këtij viti, shuma prej gati 2 trilionë euro e këtij vendi (120 për qind e PBB-së) në masën prej 50 përqindësh zotërohet nga tregu i brendshëm, ku individët zënë vend të rëndësishëm, pasi ekziston një avantazh ku individët në Itali janë më pak të ngarkuar me borxhe se sa pothuajse gjithë shtetet e eurozonës, pra ekzistojnë mundësi për t’u shfrytëzuar në dobi të huamarrjes. Ministria e Financave e Italisë ka shkuar më tej duke mundësuar blerjen e titujve të qeverisë direkt online,  me kosto transaksioni zero dhe duke paguar kuponin çdo 6 muaj. Kjo është një mundësi shumë e madhe jo vetëm përfituese, por i jep një impuls të ri të gjithë ambientit konkurrues dhe tregut të kapitaleve në tërësi. Më tej akoma, italianët u kanë bashkëngjitur një insentivë tjetër këtyre instrumenteve për individët, duke iu shtuar një premium prej 0.4 përqindësh të gjithë atyre që e mbajnë instrumentin deri në maturim, pra nuk e shesin përpara datës së maturimit. Megjithëse në Itali kemi një treg sekondar shumë të zhvilluar, por kjo është parë si mënyrë për të ndikuar sadopak në dekurajimin e blerjeve afatshkurtra apo/dhe spekulative etj.
Më tej akoma, në SHBA, vendi më i sofistikuar në tregun e kapitaleve në tërësi, por dhe atij të titujve të thesarit, ka mekanizma në dobi të pjesëmarrjes së individëve. Kemi parasysh që strukturimi i lëvizjes dhe tregtimit të kapitaleve është aq i strukturuar dhe i “institucionalizuar”, saqë me shumë vështiresi mund të blihen tituj nga individë, por duhet që nëpërmjet broker houses ose investitorëve institucionalë, fonde investimesh etj. Është shumë domethënës fakti që Thesari amerikan (Ministria e Financave) ka një program të veçantë brenda Thesarit, ku këshillon, sugjeron dhe mbështet individët për blerje direkte të titujve të qeverisë (treasuries). Kjo asistencë shkon më tej duke facilituar me blerjen direkte online në një nga faqet zyrtare të Departamentit të Thesarit.
Për të ndihmuar argumentin, gjithkush besoj është i vetëdijshëm që SHBA nuk e kanë “nevojën” për të shkuar pas individëve për të shitur instrumentet e tyre, por është tërësisht racionale që një stimulim i individëve sjell një lloj masivizimi dhe “demokratizimi të kapitalit” të përfshirjes në këtë treg. Dhe nga ky masivizim janë të fituar të gjithë, por më së shumti individët që synojnë një fluks të ardhurash të njëtrajtshme dhe pa pasur nevojën të harxhojnë kohë/kosto në menaxhimin e investimit të tyre, siç mund të ishte në alternativat e tjera.
Besojmë se është momenti për ta bërë dhe këtë mënyrë investimi në masë më të madhe pjesë të zhvillimit të tregut të kapitaleve, pjesë të planifikimit të financave personale, minimizimit të riskut, diversifikimit të aseteve etj. Në fund të fundit, është një realitet që ofron  mundësi të reja, le t’i mbështesim e menaxhojmë njëkohësisht këto mundësi në dobi të individit dhe zhvillimit të vendit në tërësi.
*Zv.ministër i Financave

© Panorama.al

Te lidhura