Pinari: Ndryshojnë rregullat për të marrë patentën

Jul 8, 2012 | 11:30
Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari

Reforma për lejet e drejtimit, flet kreu i Drejtorisë së Transportit.

Kreu i Drejtorisë së Transportit, Pinari: Rihartuam testin për kursantët. Gati sistemi i lejeve të drejtimit me pikë.

“Shkurtohen pyetjet, do ulim numrin e përgjigjeve gabim”

Implementimi i disa ligjeve të përshtatura sipas direktivave të BE-së ka futur në fushën e transportit kërkesa të reja teknike, të cilat duhet të pasqyrohen edhe në testet e marrjes së lejes së drejtimit.
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, në shërbim të kësaj kërkese, por edhe të unifikimit të testeve për të aplikuar një standard për secilën autoshkollë, ndërmori së fundi rishikimin dhe përmirësimin e pyetjeve të testit për marrjen e lejes së drejtimit. Më datë 14 qershor ky test i është dorëzuar Shoqatës së Autoshkollave për konsultim dhe më datë 10 korrik kjo e fundit duhet të japë me shkrim opinionin e saj. Përgjithësisht, ndryshimi është fokusuar në aspektin teknik dhe në përshtatjen e terminologjisë së huaj me atë shqipe standarde për të shmangur konfuzionin te kursantët. Nga ana tjetër, rishikimi i testit rezultoi me reduktim të pyetjeve, ku nga 856 që ishin aktualisht, janë 745, pra 11 pyetje më pak. Nga ana tjetër, DPSHTRR është duke punuar edhe në një sërë projektesh paralele shumë të rëndësishme, të cilat në një intervistë për gazetën i sqaron në detaje kreu i saj, Arben Pinari.
Z. Pinari, Shoqata e Autoshkollave ju pati dërguar një peticion, duke parashtruar një sërë kërkesash për ndryshime. Në çfarë faze janë duke u trajtuar këto kërkesa?
Në muajin shkurt ne patëm një peticion nga ana e Shoqatës së Autoshkollave, dega Tiranë, ku ata kërkonin për disa arsye të rishikonin kuadrin ligjor të funksionimit të autoshkollave. Për hir të së vërtetës, në muajin dhjetor u bënë ndryshimet në Kodin Rrugor dhe më datë 27 dhjetor hynë në fuqi, ku ndryshimi më i rëndësishëm ishte ai i futjes së patentës me pikë, pra që çdo qytetar do të aksesojë faqen e tij përmes internetit dhe do të shohë sa është gjendja e pikëve dhe mënyrat e penalizmit për shkeljet e rregullave të qarkullimit u bënë pak më të ashpra. Shoqata e Autoshkollave bëri një peticion ku paraqiste një sërë kërkesash, si: heqja e një tarife prej 20 mijë lekësh që ishte për licencimin, të rishikohej tarifa për rishikimin e komoditetit të mjetit, pra sa i përshtatshëm është komoditeti i mjetit për t’u përdorur për autoshkollë, si dhe kërkonin përmirësimin e legjislacionit të aktivitetit autoshkollë në bazë të normave të Komunitetit Europian. Këto ndryshime ishin bërë në dhjetor. Një tjetër kërkesë lidhej me përmirësimin e rregullores numër 9, që është një rregullore për përmirësimin e procedurave të regjistrimit të kursantëve, tarifat dhe mënyrën e procedurës administrative.
Çfarë u kërkua realisht për tarifat?
Tarifa e kursantëve është element i tregut të lirë dhe raportit të konkurrencës që autoshkollat kanë mes tyre. Tarifat shtetërore që detyrohet të paguajë kursanti janë të përcaktuara, ndërsa ato të autoshkollave jo. Këto të fundit tarifohen mbi bazën e aktivitetit që bëjnë, pranë organeve tatimore. Autoshkolla ka pasur vetëm një pagesë të vogël që prej vitit 2002 dhe paguan 20 mijë lekë për licencimin çdo vit. Në momentin që autoshkollat bënë këtë kërkesë, ne që më datë 15 janar përcaktuam që më datë 30 janar, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, të kërkonim rishikimin e kësaj tarife ose heqjen e saj, si dhe përmirësimin e testeve të kursantëve. Duke u ndalur te çështja e përmirësimit të testeve, ju si drejtori tashmë e keni përfunduar këtë proces dhe e keni dërguar për konsultim në Ministrinë e Transporteve dhe te Shoqata e Autoshkollave. Pse lindi nevoja për përmirësim dhe rishikim të testit të marrjes së lejes së drejtimit?
Testimi për marrjen e lejes së drejtimit pranë nesh zhvillohet që nga muaji nëntor për të gjitha kategoritë e lejeve dhe gjithçka bëhet përmes testeve në kompjuter. Këto teste i kanë të gjithë autoshkollat të instaluara në kompjuterët e tyre dhe gjatë mësimit, natyrisht që u bëjnë kursantëve teste stimuluese për të parë ku është niveli i përgatitjes. Shoqata e Autoshkollave në kërkesën e saj parashtronte reduktimin e disa pyetjeve që kishin përsëritje nga një kategori në tjetrën. Pra, pyetjet që binin në Kategorinë B, përsëriteshin në Kategorinë C, apo edhe CE dhe DE. Pra, shkurtimi i këtyre përsëritjeve të pyetjeve ishte kërkesa e parë. Në teste gjithashtu kishte pyetje që pretendohej se nuk i përkitnin kategorisë ku po kërkohej leja e drejtimit, pra një pyetje e Kategorisë C binte edhe te Kategoria B. Duhej një ndarje sipas kategorive. Kërkesa e tretë që hasej më shumë lidhej sidomos me terminologjinë e pyetjeve. Duke qenë se janë pyetje specifikisht teknike, gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde, pasi krijohet konfuzion te kursantët. Për shembull, në autoshkollë ata hasin fjalën “kambio”, por te testi ynë kjo fjalë është “kutia e shpejtësisë”. Me të marrë kontakt me Shoqatën e Autoshkollave ne filluam të ndërtojmë procedurat e punës për ndryshimin e testit.
“Produkti” final që ju keni çuar për konsultim, pra testi i pyetjeve të përmirësuara, si është pritur nga grupet e interesit?
Në fakt, për këtë çështje puna kaloi në një sërë fazash. Së pari hapëm gjithë praktikën e ndjekur për hartimin e këtyre pyetjeve, që për hir të së vërtetës kishin përfunduar në vitin 2008 dhe janë botuar dhe në libra nga ana e DPSHTRR. Që nga viti 2008 këto pyetje nuk ishin rishikuar. Grupet e punës morën edhe një historik të njerëzve që kanë hartuar këto teste dhe na rezultoi që pyetjet ishin hartuar me grupe të përbashkëta nga DPSHTRR dhe Shoqata e Autoshkollave mbi bazë të udhëzimit të firmosur nga ministri i Transporteve. Rishikimi ishte i nevojshëm pasi ka kaluar kohë dhe, nga ana tjetër, po implementohen standarde dhe direktiva të BE-së, çka kërkojnë një përshtatje teknike të tyre. Ngritëm grupin tonë, njoftuam dhe Shoqatën që të bënim një takim të përbashkët, dhe më 14 qershor të këtij viti, së bashku me një relacion përmbledhës, u kemi dorëzuar përfaqësuesve kopjet e CD-ve të të gjitha testeve të rishikuara. Shkurtimi ishte nga 856 pyetje që ishin, në 745 pyetje, pra gati 111 pyetje të rishikuara. Ne, pasi ia dhamë Shoqatës këto pyetje, i kemi kërkuar që brenda datës 10 korrik ta përfundojë rishikimin e tyre në mënyrë që ne pastaj të fillojmë punën me një grup të përbashkët. Një kopje e këtij dokumentacioni i ka shkuar MPPT-së, sepse dhe aty ka drejtori teknike që mund të japë objeksionet e veta.
Pas përfundimit të të gjitha fazave, përfshirë konsultimin, çfarë hapi do të ndërmerret lidhur me testet e kursantëve që duan të marrin një leje drejtimi?
Lidhur me testin përfundimtar ne mendojmë që çdo autoshkollë do të pajiset me të kundrejt një kostoje. Ne kemi vërejtur një fenomen që shumë autosholla kanë teste të ndryshme, që i kanë bërë persona me licencë mbi bazën e atij libri që kemi ne. Natyrisht, pjesa teknike ndryshon, por kur një kursant ulet në një autoshkollë apo në një tjetër ka ndryshim dhe ne vërejmë që edhe gjatë testit një ndryshim i vogël lë shumë mbresa dhe i krijon çoroditje. Ne do të bëjmë unifikimin e testeve. Me t’u miratuar jo vetëm nga ne, por edhe nga Ministria, do të vendosim një tarifë që çdo autoshkollë, me dëshirë, ta ketë këtë test.
Nga ana jonë, kostoja do të jetë minimale, por, mbi të gjitha, do të jetë shumë e sigurt që kursanti do të gjejë të njëjtin standard. Një pjesë tjetër ku ne do të punojmë në të ardhmen është edhe rregullimi i pikëzimit të studentëve. Kjo kërkon reformë. Ne jemi i vetmi vend në Europë që ka numrin më të madh të lejuar të gabimeve në testin e marrjes së lejes së drejtimit. Pra kemi 25 për qind gabime. Në vendet e tjera janë 10 për qind, 9 për qind ose 8 për qind. Kosova e ka me 10 për qind. Në 40 pyetje ka 4 gabime. Kurse ne e kemi në 40 pyetje 10 gabime. Kjo është një kërkesë e bërë edhe nga autoshkollat për uljen e gabimeve.
Një tjetër kërkesë e autoshkollave lidhet me rishikimin e rregullores numër 9. Çfarë do të ndryshojë?
Pasi të kemi mbaruar pjesën e përpunimit të testeve paralelisht kemi filluar të shohim edhe rregulloren e funksionimit për regjistrimin e kursantëve në autoshkolla. Rregullorja nuk është se ka ndonjë ndryshim thelbësor, sepse në të vërtetë në rregullore janë të përcaktuar hapat proceduralë dhe të standardeve që kemi në zbatimin e direktivave të BE-së në fushën e transporteve. Kryesisht, Shoqata e Autoshkollave insiston tek ulja e procedurave burokratike. Pra, nëse themi që për marrjen e autorizimit për të ushtruar kursin praktik duhet të kalojë dokumentacioni në tri zyra, a ka mundësi që ky dokumentacion të kalojë në vetëm një zyrë? Natyrisht, kjo kërkon ndryshime edhe të rregulloreve të brendshme të punës dhe detyrave funksionale të vendeve të punës që kanë punonjësit. Kemi dy procese që po ndodhin te ne. Një është ajo e rishikimit të bazës ligjore, por më i rëndësishëm është rishikimi i gjithë procedurës, nga ajo manuale me dorë, në elektronike. Kjo është pjesa më e vështirë, sepse jo vetëm që kërkon ndryshime bashkëkohore, por kërkon edhe përmirësim të strukturës së personelit. Nga ana tjetër, lidhur me kërkesën e heqjes së tarifës 20 mijë lekë që kanë kërkuar autoshkollat, ajo i është paraqitur Ministrisë së Transporteve sepse çdo tarifë është kompetencë e saj. Nga ana jonë ne kemi bërë një raport të hollësishëm për heqjen e kësaj tarife, por në arkivat tona nuk kishim të trashëguar arsyen pse është vendosur si tarifë. Lidhur me problemet që ka sektori i autoshkollave, ka pak që u përkasin aktorëve të jashtëm, por pjesa dërrmuese u përkasin aktorëve të brendshëm të vetë autoshkollave.

DIXHITALIZIMI I APLIKIMEVE
Qytetarët që do të aplikojnë për leje drejtimi së shpejti nuk do të hasin me burokracitë e sotshme. DPSHTRR sqaron se aplikimi do të jetë me formular, por firma dhe shenjat e gishtave do të jenë dixhitale. Çdo e dhënë apo dokumentacion që nevojitet për lejen e drejtimit do të dërgohet në mënyrë elektronike nga drejtoria te linja e prodhimit dhe qytetarit leja do t’i dërgohet me postë ose tek autoshkolla ku ka bërë kursin, ose te drejtoria ku ka aplikuar.

NERTILA MAHO

Statistikat, kanë patentë më shumë se 1.1 milionë qytetarë

Do aplikojmë sistemin me pikë. Po krijojmë regjistrin online të shoferëve
Pas ngritjes së regjistrit online të automjeteve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor është duke punuar për ngritjen e regjistrit kombëtar online me emrat e atyre që kanë një leje drejtimi.
Kjo, sipas kreut të DPSHTRR, Arben Pinari, është në vijim të asaj që do të zbatohet në vitin 2013, kur hyn në fuqi edhe sistemi me pikë i patentës. Sipas Pinarit, regjistri aktual shfaq një sërë të metash, pasi nuk është pastruar dhe, mbi të gjitha, mënyra e regjistrimit është e tillë që aq kategori lejesh drejtimi që zotëron një individ, aq herë figuron në regjistër. “Kryesor është ndërtimi i regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Ne kemi një handikap sot te regjistri aktual, sepse është i bazuar te numri i lejeve të drejtimit dhe jo mbi qytetarët dhe sa patenta ka ai. Pra, në rast se një qytetar ka shtatë kategori, ai figuron 7 herë në këtë regjistër, kur në fakt duhet të figurojë një herë me 7 patentat që ka. Ky është një sistem i trashëguar para vitit 2000. Do të bëhet ky regjistër, do të konsultohen këto të dhëna me ato të regjistrit të gjendjes civile për ta pastruar atë nga personat që kanë ndërruar jetë, që deri më sot nuk është bërë asnjëherë. Aktualisht ky regjistër ka 1 milion e 130 mijë qytetarë”, shprehet Pinari. Ai thekson se regjistri online merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se nga viti tjetër qytetarët do të mund ta aksesojnë për të parë gjendjen e tyre të pikëve. Ky është një sistem që do të zbatohet që nga mesi i vitit tjetër dhe që për drejtuesit e pakujdesshëm të automjeteve do të sjellë penalizime, të cilat kufizojnë mundësitë e të bërit gabime. Shkeljet e rregullave të qarkullimit sipas sistemit me pikë do të reflektohen menjëherë tek emri i qytetarit, i cili nëse humbet kufirin minimal të pikëve të lejuara, mund të rrezikojë edhe heqjen e lejes së drejtimit. “Brenda muajit qershor të vitit 2013 ne duhet patjetër të implementojmë lejen e drejtimit me pikë. Natyrisht që të bëhet leja e drejtimit me pikë do të kërkojë një sërë procesesh shumë të hollësishme, që sikurse ju shpjegova, lidhet me ngritjen e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Në këtë regjistër do të aksesojë Policia, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe të gjitha institucionet e tjera, por edhe vetë qytetarët për të kontrolluar gjendjen e tyre të pikëve”, shprehet Pinari. Nga ana tjetër ai shpjegon se brenda janarit të vitit 2013, një tjetër kërkesë që duhet të implementohet është ajo e ekuivalentimit të lejes së drejtimit shqiptare me atë të BE-së. Gjithçka, sikurse shpjegohet nga kreu i DPSHTRR-, lidhet me përafrimin që ka pësuar legjislacioni sipas direktivave, por edhe në funksion të lehtësimit të proceseve për qytetarët. Mes të tjerash, lidhur me uljen e burokracive. Sipas Pinarit, pritet që shumë shpejt të përfundojë edhe projekti i portalit online të financuar nga KE, që do të mundësojë që qytetarët të aplikojnë online për rinovim lejeje, marrje lejeje drejtimi të re apo çdo lloj kërkese shtesë.

RINOHET PARKU I AUTOMJETEVE
Parku i Automjeteve në vend është rinuar pas vendosjes së ligjit që dekurajonte përdorimin e makinave tejet të vjetra, të cilat taksohen më shumë për shkak të ndotjes. Të dhënat tregojnë se ka pasur një bum në importin e makinave të përdorura, por me një vjetërsi që mesatarisht është mbi 5 vjet përdorim dhe nën 10 vjet përdorim.

Tahografët për autobusët e furgonët, ngrihen dy ofiçinat e para në vend
Kompania fituese do t’i importojë nga Gjermania

Çdo mjet që është mbi 3.5 tonë, i kategorizuar për transport mallrash, mjetet që bëjnë transport udhëtarësh, autobusë apo furgonë, të gjithë do të pajisen me kartën e tahografit. Kjo kartë, në fakt, do të jetë e veçantë për mjetin dhe e veçantë për drejtuesin e tij. Është ky një nga projektet e fundit që po implementohet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, i cili sërish është një kërkesë e BE-së në funksion të përmirësimit të transportit. Drejtori i DPSHTRR, Arben Pinari, sqaron se aktualisht i gjithë procesi po ecën sipas parashikimeve dhe pikave të përcaktuara në planin e punës. “Implementimi i projektit që lidhet me karta e tahografit për mjetin dhe drejtuesit po ecën mirë. Ne jemi në hapat e fundit për implementimin dhe ngritjen e ofiçinave të tahografit. Kemi përfunduar tenderin dhe kemi të përfunduar ndërtimin e ofiçinave në Fier dhe Durrës. Kemi lidhur kontratën me fituesin për furnizimin me kartat e takohrafit, që janë pajisje fjala e fundit. Do të bëhet instalimi dhe firma që do ta bëjë këtë është vetë fituesi, i cili do të kujdeset edhe për specializimin e stafit tonë. Vendosja e kartave të tahografit do të bëhet për një kategori të caktuar mjetesh, që janë: ato mjete që kalojnë mbi 3.5 tonë për transport mallrash, mjetet që bëjnë transportin e udhëtarëve, siç janë autobusët e mjetet 8+1, por edhe ato mjete të cilat kanë një kusht tjetër ligjor, që është të kalojnë mbi 50 kilometra rrezen e lëvizjes nga qendra e tyre”, sqaron Pinari. Përmes vendosjes së kartës së tahografit mund të bëhet një kontroll më i mirë i orëve të punës së drejtuesve të mjeteve. Kjo shmang tejkalimin e orëve të lejuara, që në raste të veçanta mund të përfundojnë në aksidente për shkak të lodhjes.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura