Intervista/ “Mund ta kaloni pa simptoma, më i shpeshtë te femrat”- Ataku në zemër, kardiokirurgu: Ja shenjat që jep trupi kur jeni në prag të një infarkti dhe sa zgjat dhimbja në gjoks

Nov 27, 2024 | 9:38
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Ataku i zemrës është një prej sëmundjeve më të rrezikshme kardiovaskulare, duke u cilësuar si një prej shkaktarëve kryesorë të vdekshmërisë në botë.

3-keshilla-per-shendetin-e-zemres-930x620

Çdo minutë është e artë për të vepruar te një pacient që pëson atak kardiak, pasi shpëton jetën e të sëmurit. Shëndeti i zemrës përmirësohet nëse ushqeheni mirë si dhe kryeni aktivitete fizike. Megjithatë, ju duhet t’i vini veshin trupit tuaj që është në gjendje të japë paralajmërimet e një problemi me zemrën. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjeku kardiokirurg Sabjan Memishaj tregon se cilat janë simptomat kryesore që duhet të na çojnë te mjeku për kontroll. Ai thekson se kategoritë më të riskuara nga problemet kardiake janë ata mbi 60 vjeç, diabetikët, si dhe personat që vuajnë nga kolesteroli, hipertensioni apo mbipesha.

Cilat janë simptomat kryesore që sinjalizojnë problemet kardiake?

Disa shenja të zemrës nuk kanë lidhje fare me dhimbjen e gjoksit dhe nuk është e lehtë për të gjetur se çfarë po ndodh. Nëse paraqitni shenja të ngjashme, është mirë të shkoni te doktori. Dua të them se jo të gjitha problemet e zemrës vijnë me shenja të dukshme.

Mund të na tregoni se cilat kategori janë më të rrezikuara?

Kategoritë më të riskuara janë personat mbi moshën 60 vjeç, mbipeshë, ata që kanë diabet, kolesterol të lartë, ose tension të lartë të gjakut.

Çfarë sinjalizon diskonforti në zonën e kraharorit? Po ndjesia e të vjellit apo dhimbjet e stomakut, a lidhen me problemet kardiake?

Nëse keni një arterie të bllokuar ose po përjetoni infarkt në zemër, ju mund të ndjeni dhimbje, shtrëngim ose presion në gjoks. Çdo njeri mund ta përjetojë në forma të ndryshme këtë ndjesi. Parehatia është shenja më e shpeshtë e problemeve me zemrën. Disa e tregojnë si shpim, disa të tjerë e paraqesin si djegie. Ndjesia zgjat më shumë se disa minuta. Ajo mund të ndodhë kur jeni duke pushuar ose kur jeni duke ushtruar një aktivitet fizik.

Nëse është një dhimbje e shkurtër ose nëse është një dhimbje e lokalizuar që shtohet nga shtypja, me shumë mundësi nuk është një dhimbje nga zemra. Ndjenja e të vjellit, dhimbjet në stomak, tretja jo e mirë e ushqimit janë disa nga shenjat që paraqesin disa persona gjatë një ataku në zemër. Ata gjithashtu mund të vjellin. Femrat e paraqesin këtë ankesë më shumë se sa meshkujt. Nëse keni të tilla ankesa, sidomos të shoqëruara edhe me ankesat e tjera, duhet të paraqiteni menjëherë te doktori.

Po marramendja dhe dhimbjet në krahë, çfarë na tregojnë?

Një shenjë klasike e infarktit në zemër është edhe dhimbja që përhapet në krahun e majtë të trupit. Zakonisht kjo dhimbje fillon në kraharor dhe përhapet në krahë. Por ka edhe raste kur shfaqet vetëm si dhimbje e krahut. Ka shumë gjëra të cilat mund t’ju bëjnë të humbni drejtpeshimin ose të keni ndjesinë e të fikëtit. Kjo mund të shkaktohet në rastet kur nuk keni ngrënë mjaftueshëm apo kur çoheni në mënyrë të menjëhershme.

Por nëse në mënyrë të menjëhershme ndiheni pa ekuilibër dhe gjithashtu ndjeni edhe diskonfort në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje duhet menjëherë të paraqiteni te doktori. Kjo gjë tregon që presioni i gjakut ka rënë dhe zemra nuk po funksionon siç duhet. Dua të theksoj se edhe dhimbjet në nofull apo në grykë, përveç faktit që mund të shkaktohen nga i ftohti apo nga ndonjë problem muskulor, mund të tregojnë se mund të pësoni infarkt në zemër. Në këto raste rekomandohet t’i drejtoheni menjëherë mjekut.

Po lodhja, a mund të jetë një simptomë e sëmundjeve të zemrës?

Nëse ndiheni i lodhur pasi keni bërë një aktivitet fizik të cilin më përpara e bënit shumë lehtë si: ngjitjen nëpër shkallë ose transportin e gjërave për në shtëpi, atëherë duhet të drejtoheni te doktori. Këto shenja janë më domethënëse se sa dhimbjet në kraharor. Lodhja e tepërt dhe e pashpjegueshme ndonjëherë për disa ditë me radhë mund të jetë një shenjë e sëmundjeve të zemrës, sidomos te femrat.

Është normale të gërhisni kur jeni duke dremitur, por një gërhitje me zë të lartë mund të jetë shenjë e apne së gjumit. Apne e gjumit është ndalimi i frymëmarrjes gjatë gjumit. Kjo gjë ndodh për disa momente gjatë gjumit të natës dhe shkakton mbingarkesë në zemër. Duhet të drejtoheni tek doktori për vlerësim të mëtejshëm në rast të këtyre shenjave. Djersitja pa asnjë lloj shkaku në kohë të ftohtë mund të jetë një shenjë e infarktit në zemër.

A mund të pësojmë infarkt pa pasur dhimbje gjoksi?

Duhet të keni parasysh që mund të kaloni infarkt pa pasur dhimbje gjoksi. Kjo gjë është më e shpeshtë te femrat dhe të sëmuret me diabet.

Cilat janë momentet ku duhet të tregojmë më tepër kujdes lidhur me shqetësimet kardiake?

Në shumicën e rasteve, një kollë që nuk ndalon nuk është një shenjë e zemrës. Por nëse keni sëmundje të zemrës apo keni faktor të rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, atëherë kjo shenjë nuk duhet të neglizhohet. Nëse keni një kollë që zgjat për një kohë të gjatë dhe që ka përmbajtje të mukusit të bardhë ose ngjyrë rozë mund të jetë një shenjë e pamjaftueshmërisë së zemrës. Ndërkohë këmbët, duart dhe nyjat e këmbëve të ënjtura mund të jenë një shenjë që zemra juaj nuk pompon gjakun në mënyrë të mjaftueshme.

Kur zemra nuk rreh siç duhet, gjaku mbetet nëpër vena dhe kjo shkakton ënjtje. Pamjaftueshmëria e zemrës mund të shkaktojë mbajtje të ujit në organizëm dhe mosfunksionim të veshkave dhe kjo më pas shkakton fryrje dhe ënjtje. Është normale që zemra juaj të rrahë shpejt kur jeni i nervozuar apo kur jeni duke u marrë me një aktivitet fizik. Ndonjëherë mund të shkaktohet nga përdorimi i tepërt i kafesë, por mund të jetë një gjendje e quajtur fibrilacion atrial, i cili duhet mjekuar, sepse mund të japë komplikacione siç është tromboza e enëve të gjakut në tru dhe/ose në periferi. Por nëse zemra juaj rreh jashtë radhe shpesh, atëherë duhet të paraqiteni te doktori.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura