Flet Emira Smokthina, motra e madhe e Ardian Klosit.
Rrëfimi i plotë i Emira Smokthinës. Dje lamtumira për Ardian Klosin. Miqtë: Duhej t’i rrinim më pranë.
“Ishte tip i mbyllur. Dani ishte shumë i lidhur me nënën, Jolandën”
Dani kishte dëshirë që gjithnjë vetëm të jepte, të jepte pa fund nga vetja e tij dhe në këmbim të mos merrte asgjë. E mbante për vete dhimbjen, ndërsa gëzimin e transmetonte gjithkund…
Me këto fjalë, Emira Smokthina, motra e madhe e Ardian Klosit, tenton të përshkruajë vëllain që sapo ka humbur. Përpiqet dhe herë-herë dështon, sepse nuk e lënë lotët. Motra më e vogël, Etleva, ka zënë krevatin prej dhimbjes. Ashtu si edhe bashkëshortja Jutta dhe dy vajzat, Hanna dhe Katarina. Ardiani ose Dani, siç e thërrasin të gjithë, nuk është më mes tyre. Nuk është më as në mes nesh, por po e risjellim “in memoriam” nëpërmjet kësaj interviste të motrës së tij, Emirës… Si e keni përjetuar humbjen e vëllait?
Humbja e tij na la dy motra pa vëlla. Vite më parë ndërroi jetë vëllai tjetër në një aksident në SHBA, e përplasi një autobus. Tani edhe Dani… Kemi mbetur vetëm unë dhe Etleva. Sa e lidhur ishit me Danin?
Shumë e lidhur, si unë, ashtu dhe motra tjetër, Etleva. Fatkeqësitë njëra pas tjetrës në familjen tonë, bënë që ne të lidheshim gjithnjë e më shumë. Dani e kishim qendrën e botës së familjes sonë. Si vëlla, Dani merrte shumë gjëra përsipër dhe nuk trembej për asgjë. Nëna jonë, Jolanda, thoshte gjithnjë për Danin këtë shprehje: E merr detin më këmbë. Çfarë tipi ishte Dani?
Bashkëshortja e Klosit, Jutta dhe vajzat dje gjatë homazheve
Dani ishte tip i mbyllur. Dhimbjen e mbante vetë, ndërsa gëzimin e transmetonte gjithkund. Kishte një ironi aq të zgjuar, saqë edhe vetë personi që ironizohej nuk ofendohej dhe nuk mund të mbante dot inat. Kishte dëshirë që gjithnjë vetëm të jepte, të jepte pa fund nga vetja e tij dhe në këmbim të mos merrte asgjë. Sipas jush, çfarë e shtyu atë drejt aktit të vetëflijimit?
Kjo është një pyetje që nuk do të marrë asnjëherë përgjigje. Ai që e dinte këtë, iku përgjithmonë… A mendoni se për këtë akt mund të ketë ndikuar edhe humbja e nënës suaj, disa muaj më parë? Thuhet se Dani ka qenë shumë i lidhur me të…
Është e vërtetë që Dani ka qenë shumë i lidhur me nënën, Jolandën. Sa ishte gjallë ajo, Dani nuk dëshironte që ta dëshpëronte atë me problemet e veta që mund të kishte. Sidomos pas humbjes së vëllait, në vitin 2005. Që prindi të ikë nga kjo botë para fëmijës, është krejt normale dhe gjëja që çdo prind dëshiron. Por, kur një prind sheh dhe përjeton vdekjen e fëmijës, nuk ka dhimbje më të madhe. Duke e parë pikërisht këtë dhimbje të nënës, Dani ka bërë gjithçka që mos ta jepte veten para saj. Ndaj, ai bëri një sforco shumë të madhe, duke e mbajtur gjithçka kishte nga brenda, sa kohë ishte nëna gjallë. Pas ikjes së saj, në nëntor, siç duket, Dani nuk duroi dot më dhe e shfaqi veten. Në ç’mënyrë e shfaqi?
Tregoi ngarkesën emocionale të akumuluar prej kohësh, që me siguri ka ndikuar në shëndetin e tij. Folët se Dani kishte probleme. Për ç’lloj problemesh e kishit fjalën?
Probleme shëndetësore, që dihen tashmë. Për këto probleme ai mori ndihmën e duhur mjekësore edhe në spital, nën kujdesin e mjekëve. A ka kërkuar ndihmën tuaj, si motra?
Kur e ka kërkuar, ia kemi dhënë. Por ia kemi dhënë edhe pa na e kërkuar. Kemi qenë pranë tij fizikisht dhe shpirtërisht, sa herë ka pasur nevojë. Gjithashtu e kemi ndjekur sa u përket vizitave shëndetësore dhe këshillimeve. Një mbështetje të madhe ka pasur edhe nga bashkëshortja e tij, Jutta dhe dy vajzat. Të gjithë i kemi ndenjur pranë, por ai, siç duket, ishte shumë i lodhur dhe donte të shkonte. Cilat ishin pasionet e Danit?
Pasioni më i madh ishte pikë së pari familja e tij. I kishte pikë të dobët vajzat, Hannën dhe Katarinën. Kur Hanna iku në Paris për studime, atë e merrte shumë malli për të. Ndërsa Katarinën kishte dëshirë që ta dëgjonte edhe me orë të tëra, duke i rënë tastierës në bodrumin e shtëpisë së tij. Kishte një pasion të madh për kuzhinën, ndaj shpesh gatuante vetë për “vajzat” e shtëpisë, Juttën, Hannën dhe Katarinën. Me gatimet e tij na ftonte shpesh edhe ne për darkë. Një tjetër pasion i tij ishte të punonte drurin dhe të rregullonte gjërat e vjetra. Marangoz?
Po, po. Madje, kishte blerë të gjitha veglat e duhura në shtëpinë e tij. Dyert e shtëpisë dhe shumë orendi të tjera prej druri i kishte punuar vetë, me një pasion të paparë. Po ashtu, shumë objekte antike i meremetonte dhe i kuronte, duke i risjellë në stilin e vjetër, por me punim të ri. Sa u përket sporteve, dashuronte tenisin dhe alpinizmin. Madje, javën e kaluar ai ishte në Dardhë. Ishin pushimet e tij të fundit në këtë botë. Qëndroi atje 4-5 ditë me disa miq gjermanë dhe kur u kthye, na tha se ia kishte kaluar shumë bukur. Kishte shëtitur në natyrë, duke u ngjitur edhe nëpër male. E adhuronte ambientin. Një tjetër pasion i Danit ishte edhe kitara. I binte shumë mirë pianos, por në kitarë ishte shumë i zoti. Të ndalemi pak te krijimtaria e tij. A kishte Dani ndonjë vepër ndër duar, me të cilën po merrej kohët e fundit?
Dani kishte gjithnjë diçka ndër duar duke punuar. Kishte një kulturë pune për t’u admiruar. Me sa dimë, po punonte për përkthimin e Salman Rushdie. Paralelisht, merrej edhe me punë të tjera studimore. Megjithatë, lidhur me krijimtarinë e tij duhet pyetur dikush më profesionist. Nuk dihet një numër i saktë i librave të tij. Sa mund të jenë?
Janë diku rreth 50 libra, por për mua më i bukuri mbetet “Netët pellazgjike të Karl Reinhold, i botuar në vitin 2005. Është punë studimore. Janë tekste të vjetra nga arbëreshët e Italisë dhe arvanitasit e Greqisë të mbledhur nga dr. Karl Heinrich Teodor Reinhold, nga viti 1850-1856. Ky mjek mblodhi ngjarje dhe histori, të cilat i solli në një shqipe të pastër Dani. I transkriptoi në alfabetin e sotëm dhe në fund të librit realizoi fjalorin e tyre. Pra, ky libër është ekuivalent me një zbulim. Libra të tjerë ka plot, sidomos në përkthim. Po kujtoj këtu përkthimin e Oliver Jean Schmitt, “Arbëria Venedike 1392-1479”, “Skënderbeu”, “Ali Pashë Tepelena”, “Shqipëria e Vjetër” (studime gjeografike, etnografike, historike nga ish-konsulli i përgjithshëm i Monarkisë Austro-Hungareze në Shkodër), “Malësia e Shqipërisë Veriperëndimore” (Shkodra dhe ultësira bregdetare e Shqipërisë së Veriut), përkthimet e disa veprave të Brehtit, “Tom Sojerin”, studimin në gjermanisht për mitet e Ballkanit, gazetari televizive në dy volume etj. Me një volum kaq të madh të punës studimore dhe të përkthimit, a e kishte menduar Dani edhe mësimdhënien?
Po, madje ishte në këto biseda kohët e fundit. Ai kishte përvojë të pasur si pedagog, pasi ka dhënë mësim në katedrën e Albanologjisë në Mynyh, të cilën e pati themeluar Martin Camaj. Danit i kishte lindur dëshira që t’i rikthehej mësimdhënies, por si tip që nuk e njihte kompromisin, kërkonte një katedër ku të ishte vetja. Sepse im vëlla ishte shumë fin: donte të jepte te të tjerët atë që dinte më mirë dhe që donte më shumë. Dhe gjithçka ka dhënë deri më sot Dani i motrës, ashtu ka qenë…
Përcillet për në banesën e fundit njeriu i letrave, Ardian Klosi
Lamtumira për Klosin, pendohen miqtë: Duhet t’i kishim ndenjur më pranë
Rudina Xhunga, dje gjatë fjalës së lamtumirës
Mes lotëve dhe pendimit u përcoll dje për në banesën e fundit shkrimtari, publicisti, përkthyesi, studiuesi i njohur, Ardian Klosi. Familjarët dhe miqtë hynë në mesditë në Bibliotekën Kombëtare me lule në duar për homazhe dhe dolën që andej me të njëjtin peng: Duhet të kishim bërë më shumë për Danin. Shumica e miqve e nënkuptuan me deklaratat e tyre publike, por pati prej atyre që e thanë me zë të lartë. Siç ishte rasti i gazetares së njohur Rudina Xhunga, e cila ishte edhe e zgjedhura e familjes për të mbajtur fjalimin e rastit në varrezat e Sharrës. Mes emocioneve, duke iu dridhur zëri dhe duart ku mbante një copë letër, ajo lexoi: “Sot, tek jam këtu, për takimin e fundit, nuk arrij të kuptoj pse i bija aq larg edhe gjatë. Pse nuk e ndaloja, njërën prej herëve, kur e ndeshja në shëtitjen liqenit, dhe thjesht ta pyesja. Pse bëja sikur nuk e shikoja, kur ai vinte përballë meje me biçikletë dhe unë me kapele e syze, ulja kokën. Ishte kaq e thjeshtë. Unë e ndërlikoja, duke dashur t’i dërgoja mesazhe në hapësirë, kur ai ishte dy hapa afër, çdo pasdite nga liqeni. Mund ta kisha pyetur çdonjërën prej atyre ditëve: “Si je Dan? Bëj dot gjë për ty?” Sot është vonë…”. Edhe më drejtpërdrejtë, por edhe shumë e ashpër me veten u tregua deputetja e PS-së, Ledi Shamku. “Ishte i vetmi shok i vërtetë që kisha, të tjerët thjesht i kam të njohur. Kam një peng në zemër, që do të më gërryejë gjithë jetën. Më mori para dy ditësh në telefon dhe nuk iu përgjigja se isha në komision. As këtë nuk ia fal vetes kurrë, sepse unë nuk e telefonova më…”, tha ajo. Pendimi duket se ishte shfaqje femrash dje në homazhet dhe varrimin e Klosit, pasi edhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Kozara Kati, shtroi pyetjen: “A bëmë sa duhet për ty, Dan?” Sa për meshkujt, personazhet publikë të artit dhe politikës, nuk bënë autokritika publike. Ata vetëm u tërhoqën pas varrezave, duke nxjerrë lot në vend të fjalëve të rastit. Kështu ndodhi edhe me vetë kreun e PS-së, Edi Ramën, mikun e ngushtë të Klosit ndër vite…