Uesli Shnajder do të jetë një futbollist i Mançester Junajtid. Për këtë fakt është shumë e sigurt media angleze, e cila në kor konfirmon faktin se tashmë Interi ka pranuar ofertën e “djajve të kuq” të bërë në javët e fundit për fantazistin. Oferta e bërë nga klubi i Sër Aleks Ferguson, është shumë serioze, nga ato që vështirë refuzohen në një periudhë krize ekonomike për klubet italiane. Mançesteri pritet të derdhë menjëherë 35 milionë euro në arkat e Interit, nga i cili ka marrë lejen për të nisur bisedimet me futbollistin, i cili pritet të transferohet në Premier Ligë, menjëherë pas finales së Superkupës së Italisë. Ngërçi i vetëm i kësaj tratative mes Shnajderit dhe Fergusonit, nisur edhe nga bisedimet e ditëve të kaluara mes palëve, lidhet me çështjen e pagës. Holandezi i Interit ka kërkuar 250 mijë euro në javë (mbi 11 milionë euro në sezon), por kjo shifër është jashtë standardeve edhe të klubit më të pasur në botë, i cili i ka ofruar maksimalisht 200 mijë euro në javë. Mbase, duke parë edhe faktin që Interi është dorëzuar përpara ofertës së “djajve të kuq”, 26- vjeçari mund të pranojë ofertën e fundit të Sër Aleks Fergusonit dhe të nisë një aventurë të re në Angli, pas asaj në Holandë me Ajaksin, në Spanjë me Realin e Madridit dhe në Serinë A me Interin. Mançesteri ka detajuar gjithashtu një plan për mesfushorin e Interit, i cili me anë të të drejtave të imazhit të tij mund të fitojë 4-5 milionë euro më shumë në vit nga sponsorizimet. Dhe, pikërisht mbi këtë bazë, trajneri skocez kërkon nga “tulipani” që t’i bashkohet skuadrës së tij javën e ardhshme, pak ditë përpara shartimit të sezonit 2011-2012 të Premier Ligës. Për më shumë, Ferguson i ofron Ueslit rolin e pasardhësit të Pol Skolsit, i cili do të luajë të premten ndeshjen e tij të lamtumirës. Nisur nga këto zëra, vetë ikona e Mançester Junajtid e ka ftuar Uesli Shnajderin në “Old Trafford”. “Shnajder është një lojtar fantastik, një ndër më të mirët në qarkullim dhe padyshim që me të Mançesteri do të shndërrohej në skuadrën më të fortë në botë”, tha Pol Skols.











