Nasri ose Pastore, këta janë emrat më të lakuar për post-Shnajderin në shtëpinë e zikaltërve, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që francezi të zbarkojë në “Appiano Gentile”, pavarësisht të ardhmes së holandezit. Ndryshe nga fantazisti i Palermos, lojtari ka ende një kontratë me Arsenalin që skadon në verën e vitit 2012-të dhe kartoni i tij ka një çmim shumë më të ulët. Kështu, skuadra e Masimo Moratit ka menduar për të, jo vetëm si zëvendësues të mundshëm të holandezit, por edhe si një mundësi mjaft e mirë për të shtuar cilësinë e repartit të mesfushës. Gjithsesi, në gjurmët e Nasrisë është vënë prej kohësh edhe Mançester Junajtid, që e ka të nevojshme të zëvendësojë Skollsin (mesfushori anglez, sapo ka përfunduar sezoni, ka zyrtarizuar lamtumirën nga futbolli), sidoqoftë, ai po tenton të marrë pikërisht Shnajderin. Sipas thashethemeve angleze, “djajtë e kuq” i kanë paraqitur ndërkohë një ofertë Arsenalit: bëhet fjalë për një shifër të përafërt me 10 milionë sterlina (diçka më tepër se 11 milionë euro). Por, pavarësisht ofertës serioze, në këtë front ka ardhur refuzimi i Arsen Vengerit, i cili nuk ka ndërmend për asnjë arsye në botë t’i shesë një lojtar armikut të tij historik, Sër Aleks Ferguson. Pikërisht këtë armiqësi mes dy trajnerëve mund të përpiqet që ta shfrytëzojë Interi; vetëm për të mos e parë me fanellën e Mançester Junajtid, trajneri i Arsenalit është i gatshëm ta shtyjë Nasrinë në krahët e Moratit. Ky operacion, ndër të tjera, mund të mbyllet lehtësisht me një shifër të përafërt me 12 milionë euro. E vështirë që “topçinjtë” të përpiqen që të rrisin akoma më shumë çmimin e lojtarit francez.
Galiani bën gati rikthimin e Kakasë
Pas Andri Shevçenkos, duket se ka ardhur momenti i rikthimit të Rikardo Kakas në Milano. Administratorit të Milanit, Adriano Galiani, i ka shkrepur në kokë të veshë sërish brazilianin kuqezi, duke djegur kështu konkurrencën e klubit të Interit. Planin e rikthimit të Kakas në Milano, e ka zbardhur dje e përditshmja italiane “Tuttosport”. Sipas kësaj të përditshme, zëvendës presidenti i kuqezinjve i ofron Realit të njëjtën sistem pagese si në rastin e transferimit të sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç nga Barcelona, pra shlyerjen e vlerës së kartonit me tri këste. Për momentin, ky operacion duket mjaftë i komplikuar, për shkak se Real Madridi nuk heq dorë nga Kaka për më pak se 45 milionë euro.
Barcelona, Rosi drejt zyrtarizimit
Drejtuesit e klubit janë shumë pranë zyrtarizmit të blerjes së sulmuesit italian, Xhuzepe Rosi. Mediat spanjolle dhe angleze bëjnë të ditur se klubet kanë arritur një marrëveshje për 29.5 milionë euro, për kartonin e futbollistit. Ka qenë vetë Pep Guardiola ai që ka këmbëngulur për të, duke ua shprehur dëshirën drejtuesve para se të përfundonte sezoni futbollistik. Me ardhjen e tij, bëhet më e sigurt që Bojan Krkiç do të largohet nga klubi. Gjithsesi, për repartin sulmues pritet edhe një tjetër lojtar. Dëshira kryesore është Aleksis Sançez, por interesi i mjaft klubeve të tjera për kilienin, ka bërë që arritja e marrëveshjes të jetë e vështirë.
© Panorama.al











