Inter, largohet Tiago Mota, vjen Palombo

Feb 1, 2012 | 13:20

Tiago Mota

Zikaltrit fitojnë 10 mln euro nga shitja e italo-brazilianit te PSG-ja

Zikaltrit marrin kapitenin e Sampdorias në huazim

Anxhelo Palombo është lojtari që ka mbyllur përfundimisht merkaton e Interit. Mesfushori 31-vjeçar, i cili regjistron 21 ndeshje dhe 1 gol me Kombëtaren italiane, 372 prezenca zyrtare si profesionist me 13 gola të realizuar, është marrë në formë huazimi me të drejtë blerjeje përfundimtare nga Sampdoria për një shifër prej 1.5 milionë eurosh. Futbollisti, i shoqëruar nga menaxheri i tij Tulio Tinti, firmosi në selinë zikaltër një kontratë që skadon më 30 qershor të vitit 2015, në prezencë të drejtorit teknik, Marko Branka, dhe drejtorit sportiv, Piero Auzilio. Sapo ka dalë nga selia e Interit, mesfushori më i ri i kësaj skuadre ka bërë deklaratat e parë për mikrofonat e “FcInterNews”: “Interi është një skuadër e madhe, e cila po më paraqet një rast të shkëlqyer për karrierën time. Ishte një mundësi që nuk duhej humbur. Më pas do të flas më gjatë në konferencë për shtyp, por gjithsesi jam me të vërtetë shumë i lumtur që do ta vesh këtë fanellë”. Tifozët zikaltër i kanë dedikuar edhe koret e para si lojtari më i ri i skuadrës së tyre, bashkë me Juan Hezus dhe Fredi Guarinin. 31-vjeçari mësohet se është grumbulluar menjëherë nga trajneri Klaudio Ranieri për sfidën e sotme kundër Palermos, ndonëse aktivizimi i tij vështirë të ndodhë. Sakaq, edhe pse mendohej se do të qëndronte të paktën deri në muajin qershor, Tiago Mota arriti në ditën e fundit të merkatos që të transferohej te PSG-ja. Mesfushori italo-brazilian është larguar nga Interi pas dy vitesh e gjysmë: ka shkuar në Milano në verën e vitit 2009, kur në pankinë ishte Zhoze Murinjo dhe me klubin e Masimo Moratit ka fituar 1 kampionat, 1 Ligë Kampionesh, 1 Botëror për Klube, 2 Kupa Italie dhe 1 Superkupë italiane. Në total, lojtari 29-vjeçar ka grumbulluar gjithsej 83 ndeshje zyrtare, gjatë të cilave ka shënuar 12 gola. I fundit ka qenë më 7 janar, në ndeshjen e “San Siros” ndaj Parmës. Transferimi i Motës është zyrtarizuar si nga Interi, ashtu edhe nga klubi francez: “Tiago Motës i urojmë shumë sukses për vazhdimin e karrierës së tij në Francë me PSG-në”, – lexohet në uebsajtin zyrtar të zikaltërve. Mesfushori italo-brazilian ka firmosur një kontratë 3.5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë përafërsisht 3 milionë euro në sezon. Interit do t’i shtohen në arkat e tij 10 milionë euro. Prezantimi i lojtarit do të bëhet pasditen e sotme në një konferencë për shtyp, në të cilën do të marrë pjesë edhe Leonardo. Tiago Mota mësohet gjithashtu se do të veshë fanellën me numër 28 dhe do i bashkohet tre ish-yjeve të Serisë A, Havier Pastores (Palermo), Mohamed Sisokos (Juventus) dhe Zheremi Menez (Roma).

Ançeloti: Superblerje, por ëndrra mbetet Pato
Trajneri i PSG-së, Karlo Ançeloti, i ka bërë një koment merkatos së skuadrës së tij, duke analizuar edhe transferimin e Tiago Motës. “Merkatoja e PSG-së është projektuar tek eksperienca dhe cilësia. Shoqëria ka bërë një punë mjaft të mirë. Tiago Mota? Të gjitha operacionet e përfunduara janë bërë duke menduar për të ardhmen e skuadrës. Po mendojmë për sezonin e ardhshëm. Mota është pa dyshim një lojtar mjaft i mirë, për të cilin ne kemi këmbëngulur shumë që ta merrnim. Por në të ardhmen e PSG-së është një sulmues, i cili mbetet një ëndërr që duhet realizuar. Ai është Aleksandre Pato, të cilin do ta synojmë sërish në sesionin e ardhshëm të merkatos. PSG-ja kërkon të bëhet një nga klubet më të mira të Europës dhe, për ta arritur këtë, na duhet një skuadër e re dhe ambicioze, – ka theksuar ai.

© Panorama.al

Te lidhura