NGA DR. SHEFQET DELIALLISI
A është bota e përgatitur për stuhinë e inteligjencës artificiale që po afrohet? Shpejtësia e papritur me të cilën po zhvillohet dhe drejtimin në të cilin po shkon ka habitur edhe ekspertët…. Rrezik imediat konsiderohet papunësia që do pasojë, ndërsa robotët e inteligjencës artificiale do të bëhen gjithnjë e më të zgjuar, më të shkathët dhe për të njëjtën punë do të kërkohen gjithnjë e më pak njerëz. Një raport i fundit i Bankë së Investimeve Goldman Sachs thotë se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë 300 milionë vendeve të punës me kohë të plotë…
FATI I KALIT…
Në vitin 2016 në një nga esetë e tij, Umberto Eco shkruan: “Mendoni 100 apo më shumë vite më parë kali përdorej kudo, në transport, në bujqësi, në miniera dhe në luftë. ‘Kuajfuqia’ ende përdoret si njësi e matjeje për energjinë. Më pas erdhi automobili, i dobishëm fillimisht për kuajt, pasi lehtësoi së tepërmi punën e tyre. Automatizimi bëri që kali të duhej gjithnjë e më pak, derisa sot përfundimisht është pothuajse i papunë”.
“STUHI” QË PO AFROHET…
Puna manual, e kualifikuar dhe pakualifikuar, ka kohë që është zbehur. Në fabrika, ferma shohim makina që janë më ekonomike, më të shpejta, më të sakta, që zëvendësojnë njeriun. Tashmë inteligjenca artificiale pritet të shkojë shumë më larg, të nxjerrë jashtë tregut të punës edhe specialistë me aftësi të larta. Inteligjenca njerëzore po transferohet me shpejtësi nga truri te kompjuteri, duke kërcënuar punën e juristëve, mjekëve, arkitektëve, mësuesve… madje edhe artistëve, kompjuteri po kompozon, po pikturon, po shkruan…
EKSPERTËT…
Vinod Khosla, lider botëror në fushën e inteligjencës artificiale, në një intervistë të fundit (2024), është i bindur se AI mund të zëvendësojë punën: “Mendoj se në afatgjatë, 30, 40, 50 vjet, nevoja për të punuar do të zhduket në shumicën e vendeve të botës… ndërsa mjekët parashikon se 80% e tyre brenda një brezi do zëvendësohen nga inteligjenca artificiale! Elon Musk, themeluesi i “Tesla” dhe “Space X”, në 28 maj, 2024: “Njerëzit do të punojnë vetëm nëse dëshirojnë, puna s’do jetë më e nevojshme, AI dhe sistemet robotike do të prodhojnë gjithë mallrat, do sigurojnë gjithë shërbimet që duhen, punë mund të bëhet vetëm për hobi”! Ndërsa shkencëtari anglokanadez, Geoffrey Hinton, një nga etërit e inteligjencës artificiale, fitues i “Nobel” në fizikë për vitin 2024, mbasi dha dorëheqjen nga “Google”, më 2 maj 2023 paralajmëroi rreziqet në rritje nga avancim i shpejtë në fushën e inteligjencës artificiale: “Inteligjenca artificiale mund të shkatërrojë njerëzimin në 30 vitet e ardhshme”! Elon Musk, së bashku me mbi 1000 liderë të tjerë të teknologjisë, në një letër të hapur në vitit 2023 kërkonin ndalimin e eksperimenteve të mëdha në fushën e inteligjencës artificiale, mund të “paraqesë rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin”.
NJË BOTË PA PUNË?!
Puna është pazgjithmërisht, e lidhur me qenien njerëzore… Filozofët të mëdhenj si Marksi, Bergson, Dewey kanë argumentuar se puna është një tipar përcaktues i racës njerëzore, jo vetëm mjet jetese, por nevojë kryesore e jetës. Tiparet e Homo Sapiensit modern janë të lidhura drejtpërdrejt me prirjen e tij për të punuar. Ishte puna që krijoi njeriun, duke e kthyer nga kafshë në njeri, gjetjet bashkëkohore në arkeologji, antropologji, gjenetikë konfirmojnë vërtetësinë e këtyre argumenteve.
SHUMË PYETJE…
Fatkeqësisht parashikuesit shpërfillin rolin thelbësor që puna ka luajtur në zhvillimin e njeriut, madje disa prej tyre “zhbërjen e punës” e shohin si një mundësi për të kaluar në një model më të drejtë shoqëror. Por, cilat do të ishin pasojat e një bote pa punë për racën njerëzore? Nëse makinat do të bënin punën njerëzore, çfarë do të bënin njerëzit? Ç’do të ndodhte me njeriun, ndërsa do të zhvillohej nën presionin selektiv të sistemeve të inteligjencës artificiale dhe robotikës? Mundemi ne të eliminojmë punën, t’i ndryshojmë rrjedhën evolucionit? Do të ishte absurde të mendohej që trashëgimtarë e mijëra viteve evolucion, të mund të ndalnin evolucionin!
PO ME TRURIN?
Truri ynë vepron si një softwear i një hardwari që është organizmi…
Evolucioni është histori e ndryshimit të pandalshëm, përpjekje e jetës për t’u përshtatur në çdo mënyrë të mundshme. Dhe truri qëndron në themel të evolucionit. Është truri që ka ndryshuar në rrjedhën e evolucionit, bashkë me të ka ndryshuar dhe qenia njerëzore… Në epokën e re që sapo kemi hyrë, pjesë të rëndësishme të inteligjencës njerëzore po i transferojmë nga truri në sistemet e inteligjencës artificiale. Po trurin për çfarë do ta përdorim? Mos do ta nxjerrim edhe atë të papunë? Mos mungesa e aktivitetit do ta atrofizojë? Kemi një eksperiencë. Mungesa e aktivitetit fizik si pasojë e automatizimit është një nga shkaqet e epidemisë botërore të obezitetit që ka transformuar sëmundshmërinë botërore me shpërthimin e sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit, që po tronditin sistemet shëndetësore…
SHQETËSIMI I PLATONIT…
Një shqetësim të ngjashëm ka shprehur Platoni shekuj më parë, në lidhje me lindjen e shkrimit kur qenia njerëzore transferoi jashtë trurit një pjesë të memories së saj. Platoni shqetësohej se para lindjes së shkrimit, njerëzit kishin një memorie shumë më të mirë, shumë gjëra i dinin përmendësh dhe me lindjen e shkrimit s’kishin më nevojë… gjithçka ishte shkruar. Sot për një kohë shumë të shkurtër kemi shkuar shumë larg. Kur na del një pyetje, refleksi i parë është të hapim celularin dhe kërkojmë përgjigjen në “Wikipedia” ose “Google”. Në të njëjtën mënyrë kemi transferuar edhe aftësinë tonë për të llogaritur… Tabela e shumëzimit, që dikur mësohej përmendësh është harruar.
PARASHIKIMI I PAPARASHIKUESHËM…
Çfarë do të ndodhë me trurin? Do ta përdorim për diçka tjetër, apo ndoshta inteligjenca artificiale mund të jetë një simul i proceseve të inteligjencës njerëzore. Ndoshta! Sot kemi mundësi të bëjmë vetëm parashikime afatshkurtra në lidhje me inteligjencën artificiale, parashikimi afatgjatë është shumë i pasigurt dhe duhet të merren me rezervë. Nuk dihet se si teknologjia do të evoluojë. Ekspertët mendojnë se duhet ndalur vrapi, madje duhet një hap prapa… Avantazhet e inteligjencës artificiale janë të padiskutueshme, ashtu si dhe rreziqet. Është thelbësore të investohet më shumë dhe sa më parë në sigurinë dhe kontrollin e saj.
DUKE E MBYLLUR…
Shefi i “Google”, Sundar Pichai, në një intervistë dhënë kohë fundit do shprehej: “Mos bëni gabim, ne jemi në një tren me shpejtësi të lartë për momentin, shqetësimi është se një ditë vetë treni do të fillojë të ndërtojë shinat e tij”.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al