TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, nënvizuan domosdoshmërinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet gjetjes së rrugëve për bashkëpunim, mirëkuptim dhe vullnet politik të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë, pasi sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohen projektet e së ardhmes evropiane të shqiptarëve.
Gjatë takimit, Sanino vlerësoi dialogun e nisur me miratimin e disa ligjeve që kërkojnë tre të pesta, siç ishte edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, por nënvizoi domosdoshmërinë ruajtjes së ritmit të reformave integruese duke plotësuar dymbëdhjetë kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat nga ana e Shqipërisë.
Kreu i shtetit shqiptar, tha se “forcimi i demokracisë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës arrihen vetëm nëpërmjet mirëfunksionimit të institucioneve të pavarura kushtetuese e të drejtësisë”.











