Integrimi, Topalli merr mbështetje në Gjermani

Feb 9, 2012 | 17:44
Lammert- Topalli

BERLIN- Gjermania e mbështet Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por kjo do të marrë disa kohë derisa të realizohet. Kështu u shpreh kryetari i Bundestagut, Norbert Lammert gjatë një takimi me kryeparlamentaren, Jozefina Topalli e cila po qëndron në Gjermani në një vizitë zyrtare.

Lammert tha se bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve është në një nivel të tillë sikur Shqipëria të ishte në Bashkimin Evropian. Politikani kristiandemokrat e përforcoi edhe një herë mbështetjen e Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, por vuri në dukje se ajo do të marrë disa kohë derisa të realizohet.

“Sfidat përpara janë të shumta, punët që do të kryhen janë të medha, por është inkurajuese që ky vend ecën me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe bën përpjekje të mëdha për të rritur prezencën e investitorëve të huaj”- tha ai.

Nga ana e saj, Topalli u shpreh se në këto 20 vjet demokraci Gjermania është kontribuesi kryesor në terma financiare por edhe në zhvillimet demokratike të Shqiperisë, duke shtuar se “Shqipëria e shikon Gjermaninë në mënyrë konstante si avokate të interesave të shqiptarëve”

© Panorama.al

Te lidhura