Integrimi, Fratini e Zbogar: Tejkaloni ngërçin

Aug 3, 2011 | 14:02

Integrimi i vendit në BE duhet të shërbejë si një forcë tërheqëse mes pozitës dhe opozitës për të tejkaluar ngërçin politik. Kështu u shprehën ambasadori i Italisë në vendin tonë,  Saba D’Elia dhe ambasadori i Republikës së Sllovenisë, Bojan Bertoncelj gjatë një takimi që patën me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Dy ambasadorët i përcollën ministrit Haxhinasto mesazhin e përbashkët që ministri i Jashtëm Italian, z Franko Fratini dhe ministri i Jashtëm Slloven, z. Samuel Zbogar, i dërgojnë përfaqësueses së lartë të BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, znj Ashton dhe Komisionerit të zgjerimit Stefan Fule.

Në mesazhin e tyre ata theksojnë se “perspektiva Europiane e Shqipërisë mbetet objektivi i vetem i përbashkët i qeverisë dhe opozitës shqiptare dhe kjo duhet të shërbejë si një forcë tërheqëse për të tejlakuar ngërçin politik aktual. Një mesazh i qartë nga Komisioni Europian në progres raportin e ardhshëm, në favor të integrimit europian të Shqipërisë, do të jetë politikisht i dobishëm për vendin”.

Gjithashtu, në mesazh thuhet procesi i zgjerimit europian po ecën përpara, dhe anëtarësimi i afërt i Kroacisë demonstron qartë se dyert e BE-së janë të hapura, sapo vendet të kenë plotësuar kushtet e kërkuara.

© Panorama.al

Te lidhura