Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ndodhet sot për një vizitë dyditore në Bruksel, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Evropian.
Sipas zyres per shtyp te ministrise, gjatë kësaj vizite, Panariti do të takohet me Komisionerin për Çështjet e Zgjerimit, Stefan Fyle; Zv. Presidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella; Presidentin e Komisionit të Politikës së Jashtme në PE, Elmar Brok; Kryetarin e Delegacionit të Evropës Juglindore në PE, Eduard Kukan dhe me Presidentin e grupit parlamentar socialdemokrat në PE, Hannes Svoboda.
“Në qendër të takimeve që Ministri Panariti do të zhvillojë me zyrtarët të lartë të BE-së do të jenë diskutimet mbi zhvillimet politike në vend, ecuria e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, zhvillimet në rajonin tonë etj”- thuhet ne njoftim.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri Panariti do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga European Policy Center (EPC) mbi procesin e integrimit të Shqipërise.
© Panorama.al











