‘Integrimi në BE e shpëton Ballkanin nga luftërat’

Sep 4, 2012 | 9:04
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar BE-në në ngadalësimin e integrimit të vendeve ballkanike.

“Procesi shumë i ngathët dhe i veshtirë i anëtarësimit të shteteve të reja ballkanike në këtë union vazhdon ta mirëmbajë frymën e rivalitetit rajonal, e mungesës së bashkëpunimit dhe për më tepër, sikur në rastin e Republikës së Kosovës vështirësimin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore me Republikën e Serbisë”, ka thënë Thaçi  në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Ai gjithashtu ka thënë se Brukseli po aplikon standarde më të rënda për shtetin më të ri ballkanik, Kosovën, që vazhdon të mos njihet nga pesë anëtaret e BE-së.

“Standardet anëtarësuese duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Kompromiset e rënda evropiane në Ballkan për hir të stabilitetit politik janë treguar të dëmshme dhe kundër-produktive. Shtetet që nuk përfillin marrëveshjet rajonale dhe realitetet e reja politike nuk mund të përkrahen barabarësisht me ato që vazhdimisht tregojnë gatishmëri për tejkalim të problemeve ndër-fqinjësore”, ka thënë Thaçi duke aluduar në Serbinë dhe hezitimin e saj për të zbatuar marrëveshjet me Kosovën.

“Fitimi i statusit të kandidatit nga ana e Republikës së Serbisë dhe refuzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën e pati vetëm një rezultat: rikthimin e nacionalizmit etnik në pushtet në Beograd”, ka thënë kryeministri.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka potencuar problemet me të cilat sot përballet BE-ja dhe heqjen nga agjenda të Ballkanit Perëndimor si pasojë e krizës në eurozonë dhe recesionit që ka kapluar disa shtete anëtare.

Por, Thaçi ka thënë se nuk do të thotë se qytetari i Ballkanit nuk preket nga këto probleme evropiane. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura