Integrimi i Serbisë në BE, në dorë të Prishtinës

Aug 26, 2011 | 11:24

Pasi Kancelarja Anxhela Merkel u largua nga Serbia dhe tha në mënyrë të qartë mesazhet e saj mbi mënyrën se si duhet të trajtohet situata me Kosovën, autoritetet serbe kanë reaguar duke refuzuar sugjerimet e saj. Kërkesa e Merkel që Serbia të shuajë strukturat e qeverisjes paralele në Kosovë, u kundërshtua nga ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç. Sipas tij, eliminimi i strukturave serbe do të thotë heqje dorë nga Kosova. Merkel i ka thënë të martën Presidentit serb, Boris Tadiç, se duhet t’i përmirësojë raportet me Kosovën dhe të heqë strukturat paralele në pjesën veriore të saj, nëse dëshiron të bëhet shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në konferencën e përbashkët, Tadiç nuk u shpreh kundër deklaratave të Merkelit. Kjo detyrë iu la të ashtuquajturit ministër për Kosovën, Goran Bogdanoviç, 24 orë më pas. “Institucionet e Serbisë janë të domosdoshme për komunitetin serb në Kosovë dhe ne as nuk do të heqim dorë nga këto institucione e as nuk do t’i mbyllim ato, pasi kjo do të thoshte heqje dorë nga dëshira jonë për ta mbajtur Kosovën në Serbi”, tha ai për agjencinë e lajmeve ‘Beta’. Sipas tij, të gjitha kërkesat për shuarjen “e të ashtuquajturave struktura paralele për serbët në Kosovë, janë absolutisht të papranueshme”. Mbi mesazhet e Kancelares gjermane ka komentuar edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, por nuk i ka përmendur strukturat paralele. “Për fat të keq, dallimet mes Beogradit dhe Berlinit për çështjen e Kosovës janë ende të mëdha”, tha ai për mediat serbe. Por, vetë analistët serbë besojnë se tashmë integrimi i Serbisë në BE varet nga sjellja e autoriteteve të tyre me Prishtinën, madje shpejtësia e këtij procesi do të varet nga Prishtina. Profesori Predrag Simiç vlerësoi se kërkesat e Merkelit lidhur me Kosovën mund t’i zgjidhë vetëm qeveria e ardhshme e Serbisë, pas zgjedhjeve parlamentare. Duke vlerësuar se Serbinë e pret “një vjeshtë mjaft e nxehtë politike”, ai tha se tani është e sigurt se Serbia nuk do ta marrë datën për fillim të negociatave me Bashkimin Europian në muajin dhjetor. “Edhe nëse në fund të këtij vitit Brukseli merr vendim për kandidaturën e Serbisë, kjo sigurisht nuk do të thotë se do të marrë vendim për datën e negociatave”, ka thënë ai. “Ndërlidhja e afrimit të mëtejmë të Serbisë drejt BE-së me raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, e vë Kosovën në pozicionin që të vendosë se me çfarë shpejtësie dhe nëse Serbia do të mund të afrohet drejt BE-së”, tha Simiç. Për më tepër, ai shtoi se tani priten njohje për pavarësinë e Kosovës nga bota arabe, pas ndryshimeve në shtetet e atij rajoni. Ambasadori i Serbisë në Gjermani, Ivo Viskoviç, tha se është i befasuar me kërkesën e Kancelares gjermane dhe se udhëheqja serbe në këtë moment nuk mund ta pranojë atë.

© Panorama.al

Te lidhura