Instituti i Vjenës: Për 2011, rritja ekonomike 4.1 për qind

Jul 15, 2011 | 11:27

Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2011 do të jetë në nivelin 4.1 për qind. Ky është një nga parashikimet më pozitive që një institucion ndërkombëtar ka bërë për ekonominë tonë, nëse do të kemi parasysh parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore apo BERZH. Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike ka publikuar së fundmi raportin e tij mbi situatën në Europën Juglindore, përfshirë Shqipërinë, ku jep edhe detajet lidhur me rimëkëmbjen e post-krizës. Shqipëria konsiderohet si një vend që do të ketë një rritje relativisht të mirë, edhe pse tendenca pozitive për rritje po vërehet në gjithë rajonin. Por, niveli i rritjes që jep Instituti i Vjenës, është larg njëkohësish edhe nga parashikimi që qeveria kishte në fillim të këtij viti për një rritje mbi 5 për qind. Së fundmi, përveç ndryshimeve në buxhet për shpenzimet dhe ulja e parashikimit për të ardhurat, pritet që të bëhet edhe një korrigjim për nivelin e rritjes ekonomike. Duke iu rikthyer edhe një herë raportit të Institutit të Vjenës, në të theksohet se kërkesa e brendshme dhe investimet, edhe pse në nivele të moderuara, kanë ndikuar në rritjen ekonomike, ndërkohë që papunësia mbetet një problem i madh për gjithë rajonin, dhe jo vetëm për Shqipërinë. Në përgjithësi, sipas këtij raporti, vendi ynë duket të ketë kaluar pjesën më të vështirë të post-krizës dhe do të ruajë një rritje ekonomike edhe në vitet në vijim. Kështu, nëse për vitin 2010 rritja ekonomike e pranuar nga ky institut është 4 për qind, pritja për 2012-n është më e ulët, 3.9 për qind, por gjithsesi pozitive, ndërkohë që një rritje më e lartë pritet në vitin 2013, ku Instituti i Vjenës parashikon një rritje prej 5 për qind. Një tjetër tendencë pozitive parashikohet për rritjen e GDP-së për frymë. Deri në 2015-n, Shqipëria pritet që të lërë pas Bullgarinë dhe Maqedoninë, duke arritur në nivelin mbi 30 për qind të mesatares europiane që është e vlerësuar si 100. Për 2010-n, kjo mesatare e GDP-së për frymë për Shqipërinë nga Instituti i Vjenës vlerësohet në vlerën 28 për qind e mesatares së BE-27-s prej 100.

© Panorama.al

Te lidhura