INSIG do të ridalë në shitje për t’u privatizuar me një çmim më të lirë, pas një rivlerësimi që do t’i bëhet nga e para aseteve të tij.Në këtë pikë ka rënë poshtë çmimi dysheme prej 40 milionë eurosh, me të cilin qeveria synonte ta shiste këtë kompani. Me një pronësi 100 për qind shtetërore, duket se privatizimi i INSIG-ut ka mbetur në vend dhe situata e ofertave apo kompanive të interesuara mbetet e mjegullt. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje dy ndryshime në ligjin “Për miratimin e formës dhe formulës së privatizimit të INSIG”, që siç duket synojnë të tërheqin investitorët që të hedhin sytë te ky privatizim. Saktësimi i parë që i është bërë ligjit qartëson faktin që në procesin e privatizimit mund të shprehin interes dhe oferta edhe kompanitë vendase, përveç atyre të huaja. Ndërkohë që ngërçi i vërtetë në mungesën e interesit duket se është te çmimi referent që ishte caktuar për privatizimin e INSIG. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave në Komisionin e Ekonomisë, Linda Rusmali, saktësoi dje se ndryshimet bëhen si kërkesë e kohës dhe për t’i hapur rrugë procesit. “Sot jemi tre vjet më vonë dhe vlerësimi i bërë në atë periudhë rezulton i pavërtetë, nuk i përshtatet më realitetit. Për më tepër, edhe konsulenti, i cili punon pranë Ministrisë së Financave dhe merret me këtë proces, ka këshilluar forcërisht që kjo referencë çmimi të hiqet duke i hapur rrugën një vlerësimi të ri që duhet t’i bëhet aseteve të INSIG-ut, përpara se ai të dalë për rishitje”, tha Rusmali. Komisioni i Ekonomisë miratoi amendimet e ligjit aktual dhe deputetët kanë shprehur bindjen se kjo do të lehtësojë procesin e privatizimit, i cili për hir të së vërtetës ka një histori të gjatë që fillon që nga viti 2007. Aksionet e shtetit në atë kohë ishin 61 për qind, kurse pjesën tjetër e zotëronin dy institucione ndërkombëtare financiare: Korporata Ndërkombëtare Financiare, IFC, dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH. Këto dy institucione rishitën aksionet e tyre dhe në fund të 2008-s kompania zotërohej 100 për qind nga shteti. Më vonë, një kompani e huaj bëri një kërkesë për të privatizuar një pjesë të aksioneve me vlerën e 25 milionë dollarëve, por kjo nuk u realizua për shkak të problemeve që kompania pati me fillimin e krizës financiare që e çoi në falimentim. Që nga ajo kohë, për INSIG-un nuk është bërë publike ndonjë ofertë tjetër nga ndonjë kompani. Pikërisht këtë në fakt e konfirmoi dje edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, e cila pyetjes së deputetit Uldedaj lidhur me mosprivatizimin e INSIG-ut, për shkak të mungesës së ofertave, i’u përgjigj shkurt: “Mbase dhe nuk ka pasur oferta”. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spahoi, argumentoi dje se rivlerësimi i aseteve dhe heqja e çmimit të referencës duhet të bëhet për shkak se edhe kushtet ekonomike nuk janë më ashtu siç ishin para krizës, duke lënë të nënkuptohet që duhet një çmim më atraktiv për investitorët, dhe jo një që i dekurajon.
Krijimi
INSIG si kompani është krijuar në vitin 1991 dhe operon në tregun e sigurimeve. Vit pas viti kjo kompani ka humbur terren karshi kompanive të tjera private, lidhur me pjesën e tregut që zë. Privatizimi vjen pikërisht në një moment jo dhe shumë të favorshëm për kompaninë, sa i përket pjesës së ndikimit që ka në treg.
40 milione euro
ishte çmimi minimal që kishte lënë qeveria për ofertat për privatizimin e INSIG. Asnjë kompani e interesuar për këtë proces nuk mund të ofronte nën këtë shifër
100 per qind e aksioneve
të kompanisë janë pronë e shtetit shqiptar. Më herët në këtë kompani kanë pasur aksione edhe IFC-ja dhe BERZH, të cilat i shitën më vonë aksionet shtetit
Privatizime strategjike në radhë
INSIG nuk është i vetmi privatizim i konsideruar si strategjik, i cili pritet që të shitet. Të tjera aksione të qeverisë në kompani të ndryshme që do të privatizohen, konsiderohen si strategjike. Kështu, një ndër to është edhe “Albpetroli”. Vitet e fundit qeveria ka realizuar një sërë privatizimesh strategjike si “Albtetecom”, ish-OSSH apo ARMO. Në një pjesë të mirë të tyre shteti vijon të ketë një pjesë aksionesh, por që nuk përbëjnë shumicën.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











