Rritja e prodhimit bujqësor vendës ka ulur çmimet e prodhimeve dhe, si rrjedhojë, ka ndikuar në uljen me 0.7 për qind të inflacionit. INSTAT njoftoi dje se në korrik ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit është 3.6 për qind. “Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 1.7 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 9.5 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. INSTAT në listën e re të prodhimeve që janë tregtuar më lirë përfshin edhe shumicën e produkteve të stinës, të cilat kanë pasur ulje të ndjeshme. Sidoqoftë, në uljen e çmimeve nuk ka ndikuar vetë prodhimi bujqësor, por edhe produktet e tjera.” Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimit të këpucëve për burra me 1.4 për qind, këpucëve për gra me 1.3 për qind, veshjeve për fëmijë 0.4 për qind etj.” Ndikim në uljen e inflacionit vazhdojnë të kenë çmimet e qirave dhe energjisë. Edhe pse në nivele të vogla, sërish grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një ulje prej 0.1 për qind”. Kjo ulje ka ardhur si rezultat i uljes së çmimit të lëndëve djegëse me 0.3 për qind.” INSTAT njofton se si rrjedhojë e uljes së çmimit të naftës me 0.9% dhe të benzinës me 0.3% edhe çmimi i grupit “Transport” shënoi një ulje prej 0.3 për qind.” Çuditërisht, i vetmi produkt me rritje të çmimit, pra që ka ndikuar në rritjen e inflacionit, ka qenë ai i ëmbëlsirave. “Gjatë muajit korrik, çmimet në nëngrupin “sheqer dhe ëmbëlsira” shënuan një rritje prej 0.6 për qind.”
Të dhënat
Inflacioni
+3.6 për qind
“Ushqime dhe pije joalkoolike”
-1.7 për qind
“Zarzavate përfshirë patatet”
-9.5 për qind
“Fruta”
-6.1 për qind
“Sheqer dhe ëmbëlsira”
+0.6 për qind
“Veshje dhe këpucë”
-0.3 për qind
“Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”
-0.1 për qind
“Transport”
-0.3 për qind











