Në maj, sipas INSTAT, shqiptarët janë ushqyer me lirë, por janë kuruar më shtrenjtë. Shifra e djeshme e inflacionit të matur nga Instituti ishte 4.2 për qind. “Ndryshimi vjetor në muajin maj është 4.2 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 3.3 për qind.” Sipas INSTAT, kjo shifër është 1.1 për qind më e ulët se një muaj më parë. Kjo ulje, në shifrat e INSTAT, justifikohet me rënien e çmimeve të ushqimeve. I gjithë grupi i ushqimeve është ulur me 2.2 për qind. “Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 18.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Por çmimet e perimeve i ka kompensuar disi rritja e çmimit të frutave, që në total kanë kushtuar 1.9 për qind më shtrenjtë. Por, ndërkohë që ushqimi është bërë më i lirë, problemi i kurimit, pra shërimit, është më i shtrenjtë. “Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.3 për qind.” Ilaçet, që pas vendimit për vendosje e TVSH 10 %, vazhdojnë të pësojnë rritje të çmimit nga muaji në muaj. Edhe “qejfi” ka kushtuar më shtrenjtë në maj. “Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 0.1 për qind”, thekson INSTAT.











