
Fokusi i Ministrisë së Shëndetësisë kur bie fjala tek infermierët, do të jetë formimi i tyre bazë në nivele europiane, por kjo mbi një themel të fortë përvoje te brezi i më të vjetërve. Ministri Petrit Vasili, gjatë fjalës së tij dje në Konferencën III Kombëtare të Urdhrit të Infermierit, e vuri theksin në një sërë çështjesh. Së pari ai vlerësoi rëndësinë që ka puna e tyre në sektorin shëndetësor në total, duke e konsideruar provën e etikës si provën e tyre të përditshme. “Ato përbëjnë mbi 70 për qind të këtij kujdesi dhe kanë shtrirjen më të madhe dhe kohëzgjatjen më të madhe se kujdesi mjekësor. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në drejtim të parandalimit, të vaksinimit, kujdesit dhe të edukimit shëndetësor të popullatës”, tha Vasili. Nga ana tjetër ai theksoi se fokusi i së ardhmes do të jetë rritja e cilësisë, që fillon që nga edukimi bazë. “Fokusimi ynë në të ardhmen do të jetë te rritja e cilësisë së këtyre kujdeseve, për t’i ngritur ato në nivel evropian, dhe kjo kërkon ngritjen e formimit bazë në nivel universitar duke vlerësuar edhe përvojën, eksperiencën si dhe kontributin që ka dhënë brezi i infermierëve të vjetër”, tha ministri në konferencë. Ky aktivitet, i zhvilluar nga Urdhri i Infermierit, solli diskutime të tjera të rëndësishme. Sot, 14 mijë infermierë janë anëtarë të Urdhrit, apo 93 për qind e infermierëve që punojnë në sistemin shëndetësor.











