Infermierët e rinj, 70% të përjashtuar nga kualifikimet

Aug 16, 2011 | 10:42

Infermierët kanë mangësi me kualifikim. Madje, rreth 70% e personelit të mesëm janë përjashtuar nga trajnimet e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim.Këtë pretendim ngrenë përfaqësuesit e Urdhrit të Infermierit. Sipas tyre, këto probleme reflektohen direkt mbi cilësinë e shërbimit që u ofrohet pacientëve. Problem janë infermierët e rinj, një pjesë e të cilëve dalin të papërgatitur nga auditorët e universitetit. “Duhet të vijojë procesi i certifikimit dhe trajnimit të infermierëve, sidomos brezit të ri. Nga informacionet që ne kemi mes të sapodiplomuarve, ka shumë ish-studentë që nuk kanë formimin e duhur dhe për ta është domosdoshmëri matja e dijeve, pasi në praktikë kanë në dorë direkt jetën e pacientëve”, është shprehur kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi. Qendra e Edukimit në Vazhdim është ngritur në fund të vitit 2009, ndërsa në janar të 2010-s ka filluar certifikimi i vetëm tri kategorive në Shëndetësi: i mjekëve, farmacistëve dhe dentistëve. Ende nuk ka një urdhër për përfshirjen në edukimin e vazhdueshëm të pjesës tjetër, që janë pjesë e personelit shëndetësor në kujdesin parësor dhe atë terciar. Vetëm pak ditë më parë, Urdhri i Infermierit bëri me dije se 37 punonjës që i përkasin personelit të mesëm të spitalit “Nënë Tereza”, rrezikojnë vendin e punës. Shkeljet janë kapur nga Tas-Forca e ngritur enkas për të monitoruar punën e tyre. “Ka rezultuar se nuk e kryejnë si duhet punën e tyre. Kanë qenë arrogantë me pacientët dhe nuk u kanë dhënë medikamentet. Po kështu, janë vërejtur shkelje të tjera të etikës”, është shprehur kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi. Vendimi përfundimtar pritet të merret në shtator. Një tjetër problem madhor dhe shqetësues është mungesa e shërbimit ndaj pacientëve nga infermierët në orët e vona të mbrëmjes, ku ka jo vetëm neglizhencë, por edhe mungesë stafi.

Infeksionet

Afro 7 përqind e infermierëve janë të prekur nga infeksione të ndryshme spitalore gjatë ushtrimit të detyrës. Pjesa më e madhe janë të infektuar nga neglizhenca gjatë shërbimit kundrejt pacienteve, por dhe nga mungesa e kushteve në pavione.Hepatitit B është sëmundja më e shpesthë e hasur tek personeli i mesë.Sipas përfaqësuesve të Urdhërit të Infermierit,personeli i mesëm tek ne është 10-fish më i rrezikuar se infermierët europianë.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura