Individualizëm, apo intoksikim antisocial?

Nov 1, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI  gezim tushi

Pse individualizmi në shoqërinë tonë po bëhet patologji sociale kaq e përhapur? A është e modës ekzistenca e shtresës së “njeriut të vetmuar” që jeton i izoluar dhe përballë një “shoqërie pavetore”? Pse shumë njerëz ndihen të “huaj” në këtë shoqëri? Pse urat sociale të jetës sociale po bëhen të pasigurta për individin që ecën jo me “këmbë në tokë”? Dhe më në fund, a ka dimension për dëshirat dhe kënaqësitë individuale të njeriut në shoqërinë shqiptare tashmë postmoderne? Këto nuk janë pyetje e dilema teorike, por probleme të vërteta, jetike, ekzistenciale për njerëzit tanë. Në thelb problemi ka të bëjë me mekanizmin postmodern që ndikon në ndërtimin e raportit të njeriut, së pari si individ, qenie sovrane dhe pastaj edhe për nevojën e përmbushjes së rolit shoqëror, si atribut social i bashkëngjitur me statusin e individualizmit.

Besoj se është koha për t’i parë gjërat ndryshe. Madje, edhe për ta bërë çështje publike, imperativin social për të rregulluar në mënyrën e duhur raportet midis individualitetit empirik dhe nevojës së njeriut si qenie me kohezion social. Në fakt, ka kohë që kur shoqëria jonë hyri në epokën e demokratizimit, është glorifikuar tej mase aksi liberal dhe fondamenti individualist i jetës, si orientim social thelbësor, i shëndetshëm, i pakthyeshëm. Në tre dekada shoqëria shqiptare e kaloi “Rubikonin kolektivist”, jetën në turmë, “robërimin social” prej shoqërisë me masshtabe të mëdha, që nuk pranonte të drejtën e individit, “unit të njeriut” dhe tani ecim drejt njeriut superindividualist, që gjithnjë e më shumë po shfaq egoizmin, duke e konsideruar atë metafizikisht si trajtë qendrore e bërthamore të individit.

Është revolucion i madh politik e social, kalimi nga shoqëria me dimension total në shoqërinë me dimension individual. Procesi i kalimit nga shoqëria totale, hierarkike në shoqërinë moderne pa dimensione deterministe, individualiste, pa strukturime klasore, tashmë është përfundimtar, i realizuar me sukses të padyshimtë. Por nga ana tjetër, në shoqërinë tonë janë shfaqur keqkuptime, keqinterpretime dhe deformacione të këtij “ekuacioni social”, nga që individualizmi shumë shpesh ka marrë format subjektiviste të orientimit të njëanshëm, shpesh kaotik, shoqëruar me braktisjen e aspekteve të përbashkëta të organizimit të jetës sociale. Kjo tendencë e bashkëshoqëruar me shfaqjen e shumë plagëve endemike e patologjive sociale, kanë të bëjnë me “anën tjetër” të individualizmit dhe që shfaqen si dukuri negative në qytetërimin tonë. Është dukuri empirike që konceptimet anarkiste të individualizmit apo lirisë individuale, shumë shpesh po shoqërohen me çrregullime në jetën sociale të përditshme.

Padyshim, individualizmi ka sjellë gjëra pozitive, por edhe shumë probleme të “organizimit anonim”, që kanë sjellë konflikte të hapura, marrëdhënie kontroversale ndërmjet identitetit personal dhe dimensionit social. Një situatë e cila duhet konsideruar si shfaqje të “socializimit kontradiktor”. Ka qenë pritmëri e kotë shpresa utopike, se shoqëria shqiptare do mund të ishte e imunizuar nga plagët endemike, të natyrshme të jetës moderne. Në fakt, tashmë gjërat janë të qarta. Ajo nuk mund t’u shpëtonte “plagëve të modernitetit”, sëmundjeve të saj, të cilat kanë dalë hapur. Ato janë shumë, madje me siguri që akoma më shumë do të shtohen në të ardhmen. Jeta moderne e kohës sonë është bërë tejet individualiste dhe kjo ka sjellë në mënyrë të dukshme dobësim, madje shpërbërje të strukturave sociale kohezive, lidhjeve komunitare, duke e bërë jetën e individit nga njëra anë më individualiste, të pavarur, por nga ana tjetër, gjithnjë e më e pasigurt.

Fenomene të tilla si ekzagjerimi i prirjes së individualizmit, shthurja e grupeve dhe organizimeve shoqërore, dobësimi i amortizatorëve të jetës dhe institucioneve të autoritetit social (familja, shkolla, shteti), tejet të dukshme e në thellim në shoqërinë tonë, janë dukuri sociale që preken individualisht nga të gjithë. Nuk është vështirë që, për këto “sëmundje sociale”, të gjesh përcaktime teorike, social-psikologjike. Fjala vjen sociologu Edgar Morin gjykon se, “Individualizmi është njëherazi shkak dhe pasojë e autonomive, lirive dhe përgjegjësive vetjake, por ana tjetër e tij është degradimi i solidariteteve të dikurshme, thërrmim i njeriut, egocentrizmi dhe, në raste të veçanta ajo që është quajtur metastaza e unit”. Edgar Morin, “Rruga për të ardhmen e njerëzimit”, f 66

Të bëjmë marrëveshjen e fjalës: Prirja individualiste si kuintesencë e njeriut të lirë është një nga hapat e mëdhenj progresiv të shoqërisë shqiptare të ditëve tona, padyshim edhe simbol i pakontestueshëm i përparimit të shoqërisë. Kjo është ana e ndritur e individualizmit si ide dhe realitet social. Mirëpo, në të njëjtën kohë, është bashkëngjitur edhe ana e “errët” e individualizmit të skajshëm, që po shoqërohet me pasoja duke u kthyer shpesh në simbol dhe shprehje elokuente të ankthit, vetmisë, pasigurisë, braktisjes, margjinalizimit. Mbivlerësimi subjektivist dhe metafizik i individualizmit, teprimi me idenë e “njeriut të vetëmjaftueshëm” brenda vetes, po shoqërohet me praninë gjithnjë e më shumë të njeriut të tjetërsuar nga vetja, që ka filluar të jetë problematik, “i keqpërshtatur” me shoqërinë, i zhytur në zhgënjim social, ankth emocional, pasiguri ontologjike, duke qenë në situata konfliktuale me shoqërinë, standardet e jetës së përbashkët dhe vlerat morale “pavetore” të saj. Tani shoqëria po përballet me lulëzimin e pakontrolluar dhe ërhapjen në zgjerim të vazhdueshëm të ndjenjës së narcisizmit individual. Postmoderniteti i jep spunto garës, ambicieve personale, konkurrencës së fortë, nevojës për famë, lavdi dhe kjo është arsyeja e zgjerimit të kulturës së narcisizmit individual, që e bën tendencën e vetërealizimit të njeriut individualist si vlerën më të madhe të njeriut postmodern, i cili është gati të sakrifikojë çdo tendencë të moralitetit dhe angazhimit social ndaj të tjerëve.

Natyrisht sot është aftësi e meritë e jetës postmoderne, e cila ka aftësi të gjëra për të ndikuar në përhapjen e formave më egocentrike të realizimit të suksesit të ngushtë, vetërealizimit të qëllimeve individuale, duke bërë që pikëpamjet morale të njeriut të bëhen gjithnjë e më shumë të pavarura nga arsyeja humane e dimensioni i përbashkët social. Njeriu narcist e ka më për udhë të besoj në karakterin subjektivist të vlerave sociale e morale, të cilat do të mbeten në trajtën e projektimeve të thjeshta subjektive. Ky është një problem që duhet vlerësuar, sepse postmoderniteti ka tendencë dhe mund t’i çojë këto situata deri në pikën, kur njeriu narcizist të braktisë lidhjet me të tjerët, të abandonojë kërkesat morale që vijnë nga shoqëria apo detyrimet që duhet të ketë ky njeri, në raport jo vetëm me suksesin, paranë, famën, karrierën, me familjen etj.. Sidoqoftë, ajo që meriton vëmendje dhe që duhet kuptuar, është fakti që ndryshimet e thella të epokës së sotme janë shkaku madhor i krijimit të një kulture të re, të adoptimit të njeriut me kërkesat e kohës postmoderne. Në këto kushte është evident rreziku që nga proceset kaotike të fragmentimit social, të kemi njerëz të paaftë për të pasur një qëllim të përbashkët. Mbi të gjitha, mundësinë për të vënë në jetë qëllime me natyrë e fokus social. Kjo do të thotë, se na duhet shumë punë për të bërë të kuptueshme nevojën e lidhjes midis individit si qenie narciste dhe rolit dhe atributeve sociale të tij.

Sepse është e vërtetë që “urat sociale” të jetës në një shoqëri me publik të fragmantuar, bëhen më të brishta, të pasigurta. Për pasojë nxitet narcizmi apo vetëpëlqimi i njeriut, që më shumë ecën me sytë nga vetja, por pa i mbajtur këmbët në “token sociale”. Kanë plotësisht të drejtë studiuesit e sotëm, që këmbëngulin se njeriu ekstremisht individualist dhe thelbësisht i tjetërsuar”, është bërë figura sunduese e realitetit të sotëm social. Në jetën tonë të përditshme, është formatuar “tipi social” i njeriut individualist që jeton në shoqëri më së shumti si “krijesë anonime e tregut dhe e votimit masiv”, që sociologjikisht ka filluar të marrë trajtat e “individit të humbur”, që jeton i shkëputur nga strukturat e dhe mekanizmat e realitetit social, rregullat, vlerat, standardet dhe besnikëritë, që janë instrumentet që sigurojnë lidhjet dhe kohezionin social në shoqëri. Pasojë e këtij individualizmi patologjik shfaqen në gjendjen kaotike të njeriut që jeton i vetmuar, i tjetërsuar duke përjetuar frikë, pasiguri, ankth, si gjendje mendore permanente. Njeriu individualist për shkak të orientimit të gabuar individual shfaqet i zhgënjyer, me ndjesinë e humbësit, të cilat kanë filluar të shfaqen si dukuri tipike sociale, pikërisht për ata njerëz që vuajnë nga individualizmi dhe për pasojë përjetojnë, vuajnë “krizën e identitetit të vet”.

Izolimi, mbyllja në vetvete, prerja e lidhjeve me strukturat e jetës sociale dhe intime, publike e private kanë krijuar tipologjinë e njeriut “pa status” social, i cili e ka të vështirë të kuptojë, të orientohet me shoqërinë që e rrethon, ngaqë e ka të vështirë të dallojë në këtë botë të ngatërruar, fajësinë dhe pafajësinë e tij dhe shoqërisë. Kjo, pasi individualistët janë njerëz që kanë humbur sensin e orientimit, “kufijtë ndarës”, të cilët për individualistët janë herë të padukshëm, herë tepër konvencionalë. Shoqëria jonë ka pësuar një proces transformimi të vrullshëm. Ajo është bërë shoqëri turbokapitaliste, e shpejtësive të mëdha, thelbësisht tjetër në krahasim me të kaluarën e afërt. Në të nuk ka “kala sigurie”, ku mund të akomodohet njeriu individualist. Kjo është shoqëria e sotme shqiptare, e cila nuk e ka më në koncept idenë e vjetër të socialitetit dhe barazisë, sepse ajo është shoqëri e kompeticionit individual, në të cilën njeriu hyn me forcat e tij për të fituar. Megjithatë, është e udhës të edukojmë njerëzit tanë me ndjenjën e ekuilibrit individual e social, sepse pavarësisht dëshirave egoiste e preferencave individualiste, ai është i “detyruar” të ndërtojë një raport dialektik të jetës personale, duke siguruar një lidhje natyrale e funksionale midis vetes së pavarur dhe nevojës për integritet social. Është krejt e gabuar, subjektiviste e anarkiste ideja që qarkullon në shoqërinë tonë, sipas të cilës, koncepti i lirisë përkufizohet vetëm si zgjedhje e lirë e individëve pa iu nënshtruar asnjë kufizimi.

Është e vërtetë që si kurrë më parë, shoqëria jonë po përballet me njeriun arrivist, i cili mendon se të jesh i lirë do të thotë që individualisht të jetosh përtej racionalitetit dhe rregullave sociale, duke shpërdoruar raportin midis individualizmit, lirisë individuale dhe nevojës për të pasur një sistem social rregullator, i cili në mënyrë të sigurt nuk e cenon individin dhe individualitetin. Përkundrazi, na ndihmon për të kombinuar në mënyrë humane synimet individuale që duhet të arrijë njeriu në jetën personale, duke rregulluar raportet midis unit, vetes, shoqërisë, duke shmangur pa diskutim “kallëpet e ngurta të individualizmit dhe kolektivizmit”. Sepse koha ka treguar se njeriu është qenie monolite me vlerë sociale dhe individuale, atëherë kur në veprimtarinë e vet të qëllimshme bashkon në një të vetme esencën individuale me ekzistencën sociale.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura