Ngjarja e fundit e dhunshme që ka tronditur Shtetet e Bashkuara, ndodhi në një supermarket të Nju Xhersit. Viktimat janë tre, e një prej tyre është vetë agresori. Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të së premtes në Old Bridge, rreth 40 kilometra larg Nju Jorkut. Supermarketi ishte i mbyllur ne ato momente, por brenda ndodheshin disa punëtorë qe po rregullonin mallin. Sulmuesi besohet të ketë qenë një punëtor i pakënaqur dhe ka hapur zjarr kundër dy prej kolegëve të tij, e më pas ka kthyer armën nga vetja. Ky ishte incidenti i fundit në ambiente publike në Shtetet e Bashkuara. Vetëm pak ditë më parë një person u ekzekutua dhe nëntë të tjerë u plagosën në “Empire State Building”, ndërsa pak javë më parë, në tempullin Sikh të Uiskonsin, 6 persona u vranë nga një sulmues i armatosur. Ngjarja më e rëndë për sa i përket së fundmi numrit të viktimave, ishte sulmi i Xhejms Holms në premierën e Batmanit në Kolorado, ku u qëlluan për vdekje 12 persona.











