Inaugurohet Terminali i ri i Portit të Durrësit

Jul 11, 2012 | 20:26

DURRES- Është inauguruar sot terminali i ri i pasagjerëve në Portin e Durrësit me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit, Sali Berisha. Kryeministri e cilësoi si një portë hyrëse të rëndësishme e moderne të mbarë rajonit tonë drejt perëndimit. Ky terminal, tha ai, do të kursejë kohë në kapjen me të shpejtë të destinacioneve.

Kreu i qeverise u ndal më pas edhe tek investimet që maxhoranca ka bërë në Qarkun Durrësit.

“Investimet në Qarkun e Durrësit janë ndër më të mëdhatë të realizuara ndër këto vite. Kjo maxhorancë nga viti 2005 e gjer sot ka ndërtuar mbi 400 km rrugë, ka ndërtuar shkolla, ambulanca etj. Berisha tha se brenda pak javëve do të inaugurohet impianti i përpunimit të ujrave të zeza.

Terminali përfaqëson një investim me vlerë rreth 21.9 milion euro. Investimi do të përmbushë nevojat në rritje të trafikut, të tregtisë, të ekonomisë shqiptare në zhvillim si dhe të qarkullimit të lirë të njerëzve. Ky terminal i ndërtuar sipas standardeve më të larta evropiane, do të mundësojë një shërbim modern, të shpejtë dhe cilësor për miliona qytetarë, që kalojnë nga ky port çdo vit. Terminali i ri përbëhet nga një sipërfaqe sheshesh prej 65 mijë m2 , nga ndertime me sipërfaqe 25 mijë m2 dhe nga 4500 m2 godina të pasagjerëve. Po ashtu terminali i ri ka 10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për pasagjerët me autovetura si dhe 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionet.

© Panorama.al

Te lidhura