TIRANE- Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi kanë prerë shiritin e inaugurimit të objektit të ri të ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë. Përurimi i ambasadës së re të Republikës së Kosovës në Tiranë vjen në kuadër të 4- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Të dy kryeministrat e cilësuan këtë një moment mjaft të rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha tha se ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë dhe ajo e Shqipërisë në Prishtinë, kanë një mision të dyfishtë. Së pari, kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, por kanë misionin tjetër kombëtar të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe ndarjesh, kufizimesh, bllokimesh të pamerituara.
Ndërsa, kryeministri Thaçi shtoi se shumë shpejt në qendër të Prishtinës do të ndërtohet një seli e re për ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë.
Të pranishëm në ceremoni ishin përveç dy kryeministrave edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli dhe liderë të tjerë nga Kosova. Merrnin pjesë gjithashtu edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
© Panorama.al











