“Prioriteti im ditor është të forcoj përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Kështu është shprehur Kryeprokurorja Ina Rama gjatë punimeve të Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombetare të Prokurorëve dhe në Samitin e 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm që u mbajt në Seul të Koresë së Jugut.
Në fjalën e saj në këtë Samit, kryeprokurorja tha se ky prioritet i saj vjen jo vetëm si një detyrë për të përmbushur mandatin kushtetues, por edhe si një përpjekje shumë e rëndësishme për rivendosjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë, theksoi kryeprokurorja, duke vënë në dukje se gjatë viteve të fundit Shqipëria si një vend tranziti për organizatat kriminale që përdorën konfliktet dhe paqëndrueshmërinë politike në rajon gjatë viteve 1990, Prokuroria shqiptare ka bërë një punë intensive dhe profesionale gjatë viteve të fundit.
Sipas saj, mundësitë për organizatat kriminale po zvogëlohen, ndërsa vendi është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive të zbatimit të ligjit.
“Sidoqoftë, lufta jonë kundër organizatave kriminale, qoftë lokale qoftë ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.” – tha ajo.
Kryeprokurorja gjatë qëndrimit të saj në Seul pati disa takime me përfaqësues e titullarë institucionesh të vendeve të ndryshme
© Panorama.al












