Ina Rama: Patëm presion politik për “21 janarin”

Sep 7, 2012 | 11:12

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama

Takimi me delegacionin e KE: Të hiqet imuniteti i zyrtarëve.

Prokuroria e Përgjithshme aludoi dje për mbivendosje në punën e saj në rastin e hetimit të ngjarjeve të 21 janarit. Në një deklaratë për median lidhur me takimin e prokurores së Përgjithshme Ina Rama me një delegacion të Këshillit të Europës, është përmendur presioni dhe ndikimi politik në ngjarjet e 21 janarit. Sipas deklaratës për median, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pati një takim me një delegacion të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në deklaratë thuhet se delegacioni i Këshillit të Europës kryesohej nga Nils Muiznieks, komisioner për të drejtat e njeriut. Zyra për median në Prokurorinë e Përgjithshme theksoi se gjatë takimit të djeshëm, Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë shqiptare, duke e vënë theksin te angazhimi i këtij institucioni në rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe shmangien e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e Drejtësisë. “Anëtarët e delegacionit të Këshillit të Europës theksuan rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve. Më tej, anëtarët e delegacionit të Këshillit të Europës u interesuan për çështje të veçanta me të cilat është hasur në punën e saj Prokuroria shqiptare, siç është hetimi për çështjen e 21 janarit dhe procesi i gjykimit të saj për rolin e komisionit hetimor parlamentar për këtë rast dhe nëse ka mbivendosje apo ndikim politik në hetimin e kësaj ngjarjeje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, anëtarët e Këshillit të Europës shprehën interesim për reformën në sistemin e drejtësisë dhe për çështjen e kufizimit të imuniteteve për deputetët dhe gjyqtarët.
Një vizitë e ngjashme nga delegacioni i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut është zhvilluar në Tiranë dy javë pas 21 janarit 2011. Asokohe, zyrtarët europianë mbajtën takime me Prokurorinë dhe administratën e Burgjeve, pas pretendimeve për dhunë fizike të ushtruar ndaj personave të ndaluar nga policia pas protestës para Kryeministrisë. Hetimi i 21 janarit u shoqërua me përplasje të forta mes Prokurorisë dhe Policisë, fillimisht për ekzekutimin e  urdhrave të parë të arrestit ndaj zinxhirit komandues të Gardës së Republikës. Më pas, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u përfshinë në debat me Prokurorinë në lidhje me nxjerrjen e sekreteve të dosjes penale të 21 janarit në media. Përplasjet vazhduan me akuzat për manipulim provash, derisa policia akuzoi se prokurorët i kishin futur në xhepa gëzhojat e vendngjarjes dhe predhat e gjetura në kufomat e tre shtetasve të vrarë që iu nënshtruan autopsisë në Tiranë. Për shkak të tensionit që shoqëroi hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, ambasadori amerikan doli dy herë në konferencë për media me prokuroren e Përgjithshme, ku shprehu mbështetjen për organin e akuzës, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të hetonte në mënyrë të paanshme dhe gjithëpërfshirëse.             tr.so

© Panorama.al

Te lidhura