Maxhoranca paraqet nismën për ndryshimin e Kushtetutës për zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë, deputetëve, ministrave si dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të të të gjitha niveleve.
Mesditën e djeshme, Grupi Parlamentar demokrat ka firmosur një draft me pesë nene ku preken dispozitat që kanë të bëjnë me funksionarët më të lartë në vend, duke kërkuar konsensusin e opozitës për një nga tri kushtet e Komisionit Europian përpara se të përgatitet progres-raporti i radhës. “Deputetët nismëtarë shprehin besim se këto ndryshime do të gjejnë mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi”, thuhet në relacionin e nismëtarëve. Sipas deputetëve që kanë firmosur draftin, amendamentet janë propozuar nga projekti i Këshillit të Europës (PACA) dhe i Bashkimit Europian (EURALIUS).
Ndryshimet kushtetuese
Paketa e ndryshimeve, e propozuar nga deputetët e maxhorancës, prek fillimisht nenin 73 të Kushtetutës, që ka të bëjë me imunitetin e deputetëve. Ndryshe nga legjislacioni aktual, kur duhej votimi i Kuvendit për t’i hapur rrugë procedimit të deputetit, me propozimet e reja Prokuroria ka dorë të lirë për të hetuar një ligjvënës. “Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 73, të ndryshuar. Në rastin kur Kuvendi vlerëson se nuk duhet hequr imuniteti i deputetit, zhvillon një seancë debati dhe më pas bëhet votim i hapur. “Për çështjet e parashikuara në këtë paragraf, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por vendimi merret me votim të hapur”, thuhet më tej në draftin e PD-së. Por, ndërkohë që Prokuroria ka dorë të lirë për arrestimin e deputetëve, kjo nuk mund të thuhet për gjyqtarët e të gjitha niveleve të gjykatave. Sipas ndryshimeve të propozuara, anëtari i Kushtetueses nuk mund të ndiqet penalisht për vendimet që merr, por organi i akuzës mund të hetojë lirisht pa marrë më parë lejen e Gjykatës në rast se gjyqtari është i implikuar në një akt korruptiv. “Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese rregullon procedurat për të garantuar përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria, në çfarëdo forme, pa autorizimin e vetë Gjykatës, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë”, thuhet në nenin 126. Të njëjtën liri veprimi për të hetuar Prokuroria ka edhe për gjyqtarët e gjykatave të tri shkallëve. Edhe në këtë rast është KLD-ja ajo që jep vendimin përfundimtar për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve. Ndërkohë, përmes një dispozite të veçantë, deputetët e PD-së propozojnë që Avokati i Popullit, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të mos gëzojnë imunitet.
Ndryshimet e propozuara nga PD për Kushtetutën
Neni 73, pika 1 dhe 2 ishte:
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
Neni 73, pika 1 dhe 2 bëhet:
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë, Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund ta kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.
Për çështjet e parashikuara në këtë paragraf, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por vendimi merret me votim të hapur.
Neni 126 ishte:
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 126 bëhet:
Gjyqtarët i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqen civilisht ose penalisht për opinione dhe vendime të nxjerrja në ushtrim të funksioneve të tyre. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese rregullon procedurat për të garantuar përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e vetë Gjykatës, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese, që mund të vendosë për heqjen e masës.
Neni 137 ishte:
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.
2. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në Gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
3. Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
4. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në Gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 137 bëhet:
Gjyqtarët nuk mund të ndiqen penalisht ose civilisht për shprehje të përdorura dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore, përveçse për krime të paramenduara të parashikuara në mënyrë specifike të Kodin Penal.
Gjyqtari nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë që mund të vendosë për heqjen e masës.
Nenet që shfuqizohen
Neni 61, paragrafi 3
3. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Neni 103, paragrafi 3
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Neni 165, paragrafi 2
2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Dispozitë kalimtare
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, dhe prek të gjitha hetimet dhe procedurat e nisura.
ADI SHKEMBI











