
TIRANË- Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka theksuar se opozita është dakord me amendamentin për kufizimin e imunitetit, por ka sqaruar se data 6 gusht nuk ka qenë zgjedhje e opozitës, por vendim arbitrar i maxhorancës.
Sipas tij, nisma e PD-së për imunitetin parasheh ndryshimet kushtetuese, të cilat nuk janë serioze të bëhen dy herë, në gusht dhe në shtator.
“Deklarimi i Berishës është spekulativ, grupi i PS ka marrë vendim publik, nuk ka asnjë deputet që ta ketë kundërshtuar votën pro kufizimit të imunitetit, ne kemi marrë mandatin politik në Komisionin e Ligjeve për ta votuar pro projektin përkatës, në parim dhe nen për nen. Ne e konsiderojmë të mbyllur cështjen për amendamentin e imunitetit”- tha ai.
Sipas tij, tashmë ka një amendament konsensual në parim dhe nen për nen, nuk kemi votuar vetëm për miratimin në tërësi. “Pr/ligji i propozuar nga nisma iniciativë e PD në Kuvend, nuk kemi një projekt për imunitetit por iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës, nëse do votohej në tërësi kjo iniciativë do të thotë që do votohej projektligj më vete. Nuk mund të kemi një votim në gusht dhe një në shtator, kjo eshte qesharake, e paprecedentë në praktikën parlamentare evropiane”- tha ai.
Sipas tij, pretendimet e shumicës për datën 6 gusht, gjoja si sanksionim i rregullores janë absurde.
“Amendamenti i propozuar nga një grup deputetësh në 2008 ka përcaktuar procesin, ka vendosur kufij kohor minimal në këtë proces, që të mos abuzohet. Rregullorja përcakton 2 javë kohë të lira, pa veprimtari para thirrjes së mbledhjes së komisionit dhe 2 javë të detyruara para shqyrtimit në seancë plenare. Nisma e PD është regjistruar në 6 korrik, seanca është lënë në 6 gush, gjithsej 31 ditë kalendarike, nga këto 28 janë ditët që rregullorja i ka të kushtëzuara për shpalljen publike të projektit final, mbeten vetëm 3 ditë pune, kaq kanë qenë dhe ditët që i janë kushtuar procesit”- tha ai.
© Panorama.al











