Imuniteti, Topalli: Opozita të marrë përsipër kostot politike

Jul 31, 2012 | 11:26
Topalli e Al Doghmi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri dje thirrje opozitës të votojë më 6 gusht draftin për heqjen e imunitetit me anë të ndryshimeve kushtetuese. Topalli gjatë konferencës së përbashkët me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Jordanisë, Abdulkarim Al Doghmi, deklaroi se opozita po kërkon alibi që të mos miratojë heqjen e imunitetit. Ajo theksoi se kjo është një taktikë non sens dhe e pashpjegueshme, pasi në çdo vend të botës është opozita ajo që i kërkon maxhorancës heqjen e imunitetit. “6 gushti është momenti jo për të folur, por për të vepruar. 6 gushti nuk është momenti për ta zgjatur, por është momenti për të votuar. Është momenti për të votuar ato ndryshime, për të cilat ka filluar diskutimi prej nëntë vitesh. Këtu ndahen gjërat. Por do të shtoja edhe diçka tjetër: gjatë kësaj periudhe, nga opozita është thënë dhe është folur për kulturën e pandëshkueshmërisë. Unë e dëgjoj me shumë seriozitet opozitën dhe e marr seriozisht nëse ajo shpreh diçka. Është rasti që ata  t’u qëndrojnë  diskutimeve të tyre, qoftë edhe për  mungesën e ndëshkueshmërisë në disa raste, apo edhe në shumë raste në nivele të ndryshme, në qoftë se e kanë seriozisht. Në qoftë se ata gënjejnë, kësaj radhe natyrisht do të marrin koston që i takon politikanit, kur vepron ndryshe nga ajo çka thonë”, deklaroi Topalli.

© Panorama.al

Te lidhura