PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur rreth çështjes së imunitetit të deputetëve, ka përsëritur se pushtetet janë të ndara dhe se në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë interferime me Kushtetutën dhe ligjet.
Komentet, ai i bëri sot në Rufc të Ri të komunës së Lipjanit, ku së bashku me ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci kanë përcjellë për së afërmi fushatën e korrje-shirjes, si dhe vizituan parcelën e fermerit Skënder Hyseni.
Duke iu përgjigjur interesimit të medieve lidhur me atë se a do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës nismën që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar çështjen e imunitetit të deputetëve, kryeministri Thaçi ka përjashtuar një mundësi të tillë, duke thënë se nuk do të ketë interferime me Kushtetutën dhe ligjet.
“Unë nuk jam ai që do ta interpretoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pushtetet janë të ndara. Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë obligimet e veta plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës, por edhe me ligjet aktuale. Qeveria është ekzekutivi dhe pushtetet janë të ndara. Në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë interferime me autoritetet kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa i pyetur rreth deklaratës së zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Tomas Kantrimen, i cili i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve, kryeministri Thaçi ka thënë se diplomati amerikan ka qenë shumë i qartë në mesazhin e tij.
“Besoj që ke dëgjuar mirë zotin Kantrimen dhe ai ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe adresat për të cilat ka folur”, ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit ndërkaq nuk ka dashur të përgjigjet interesimit të medieve se a po i shmanget kryetari i Kuvendit të Kosovës përgjegjësisë lidhur me këtë çështje.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve.
Zyrtari i lartë amerikan ka thënë se debati rreth imunitetit ka të bëjë me atë nëse Kosova dëshiron të jetë një shtet ku sundon ligji apo ku sundon politika.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i kontaktuar nga Kosovapress, ka thënë përmes telefonit se nuk dëshiron të prononcohet gjatë këtij vikendi lidhur me këtë çështje. (Express)
© Panorama.al











