Imuniteti, Rama: Ndërhyrje serioze në Kushtetutë

Jul 24, 2012 | 13:30

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka theksuar sërish sot se opozita është e gatshme për kufizimin e imunitetit, por PS kërkon sipas tij reformim dhe ndërhyrje serioze në Kushtetutë në interes të sistemit të drejtësisë.

Në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama i ka quajtur akuza të dëshpëruara ato të kryeministrit për bllokim nga ana e opozitës në interes të atij që Berisha e kë quajtur “grupi i miliarderëve në PS”.

“S’ka gjë më qesharake sesa kur kryeministri bën sikur po thërret në ndihmë opozitën për të shembur murin e korrupsionit për të hequr imunitetin, ndërkohë që atë e lartëson korrupsioni i pushtetit. Nuk ka neveri më të përligjur sesa kur kryeministri përgojon opozitën sikur ne kemi nevojë për imunitetin për të mbrojtur sipas tij një grup miliarderësh në PS”- tha Rama.

Sipas tij është kohë për ndërhyrje serioze në Kushtetutë. “Imuniteti është pikënisje por jo pikëmbërritje, nuk kemi asnjë ekuivok, duhet kufizuar dhe pikë. Por sot Kushtetuta ka nevojë për rishikim në funksion të një reforme në drejtësi që të krijojë kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi”- tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura