“Imuniteti, pas diskutimit të propozimeve tona”

Sep 2, 2012 | 13:14

TIRANE- Ndërsa e vuri theksin tek keqqeverisja dhe nevoja për një rilindje, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një konference për shtyp pohoi edhe njëherë se PS është gati të votojë për imunitetin, por vetëm pasi me nisjen e parlamentit nesër,  të nisë edhe diskutimi për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara nga opozita.

“Nesër nisin punimet e parlamentit. Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Kështu i hapet rruga imunitetit për miratim para gjykimit të Brukselit. Në jemi pro kufizimit të imunitetit, aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë. Jemi gati ta votojmë imunitetin sapo të mbyllet diskutimi për ndryshimet e miratuara prej nesh.’- tha Rama.

Kreu socialist shtoi se shteti e ka braktisur detyrën, ndërsa paralajmëroi nisjen e “dialogut për të ardhmen”. Sipas Ramës është koha që opozita me në krye PS të nisin rrugëtimin drejt fitores.

“Ne do të jemi këto 10 muaj në qytete e fshatra të Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen,  me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rikthimin tek Europa e Bashkuar.”- theksoi kreu i socialistëve.

Në fjalën e tij Rama denoncoi madhësinë e rrogës së Guvernatorit, Ardian Fullani dhe shpenzimet më shumë se tre federata bashkë për një ekip volejbollistesh të Bankës së Shqipërisë.

Krimi, tha ai, ka dalë jashtë kontrolli, pasi shifrat janë rritur ethshëm kohët e fundit, ndërkohë që në 100 vjetorin e Pavarësisë shteti ka nxjerrë në ankand kombin.

“Në 90 ditë, 158 shqiptarë kanë humbur jetën nga vrasjet, vjedhjet dhe aksidentet në  rrugë. 220 të tjerë janë plagosur, nuk janë kaq të vrarë e të plagosur as në Irak dhe as në Afganistan”- theksoi kryesocialisti.

© Panorama.al

Te lidhura