Imuniteti, draft i përbashkët, por s’ka konsensus

Jul 24, 2012 | 18:05

TIRANË- Pavarësisht paraqitjes së një drafti të përbashkët, PS-ja dhe PD-ja nuk kanë mundur ta miratojnë atë me konsensus. Deputetët e Partisë Socialiste abstenuan, ndërsa vetëm 15 deputetë të maxhorancës votuan pro draftit.

Pas leximit të draftit nga relatori i PD-së, Edi Paloka, relatori i Partisë Socialiste, Pandeli Majko tha se çështja e imuniteteve është e mbyllur politikisht, dhe drafti i përbashkët i paraqitur sot tregon që PS nuk ka për qëllim bllokimin. I vetmi kusht që ne kemi, tha Majko, është të na jepni të drejtën të ftojmë eskpertizën ndërkombëtare, dhe të bëjmë të njëjtën procedurë siç bëmë me imunitetet për pjesën tjetër të ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij data 6 gusht nuk është institucion,  dhe se kushtetuta nuk mund të ndryshohet çdo ditë, ndaj kërkoi që të merren në shqyrtim edhe propozimet e tjera të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese.

Ai akuzoi maxhorancën se kanë përcaktuar datën 6 gusht, për ti thënë opozitës, ose bëj kështu siç them unë ose ti je kundër integrimit.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e mbylli mbledhjen duke e konsideruar një turp mosbotimin e e draftit nga ana e PS-së, ndërsa shtoi se në vazhdim drafti do të ndjekë rrugën e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregullore.

Me heret janë mbyllur negociatat mes PD dhe PS për cështjen e imunitetit. Të ngarkuarit me këto diskutime, Edi Paloka nga PD dhe Pandeli Majko nga PS kanë deklaruar për mediat se kanë mbërritur në një draft të përbashkët.

“Kemi pranuar 90% te propozimeve te PS për cështjen e imunitetit me qëllim që në 6 gusht ta votojmë këtë draft për të cilin është rënë dakord përfundimisht mbrëmë mes meje dhe zotit Majko. Unë nuk përfaqësoj Palokën, por PD-në dhe shpresoj që PS të respektojë dhe ruajë dinjitetin e zotit Majko e votojë në 6 gusht”- ka thënë Paloka.

Ndërkohë që vetë Majko ka bërë me dije se është mbyllur një fazë me shumë rëndësi sa i përket këtij diskutimi, por ka shtuar se është shumë vështirë të ndryshohet një ligj brenda një muaji.

“Do të vijojmë me hapat e mëtejshëm dhe shpresojmë të kemi vullnet. Nuk vëmë kushte duam të kemi debat publik me PD-në, si për nenet për imunitetin. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera. Kushtetuta nuk i përket partive politike, por publikut” tha Majko.

 

© Panorama.al

Te lidhura