
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u bëri dje thirrje forcave politike të miratojnë brenda 6 gushtit ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se heqja e kësaj mburoje ndikon në luftën kundër korrupsionit. “Ekziston sensibilitet i lartë publik, po edhe i partnerëve ndërkombëtarë. Është theksuar se hapat e parë në çlirimin e politikanëve nga imuniteti i zyrtarëve të lartë do të mirëpriteshin dhe do të vlerësoheshin si një vullnet jo vetëm për të luftuar korrupsionin, por edhe për të hedhur një hap më tej për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në Bashkimin Europian. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë një pjesëmarrëse aktive në këtë debat, prandaj ajo ka paraqitur edhe propozimet e saj, të cilat konvergjojnë por edhe divergjojnë me draftin e paraqitur nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, u shpreh Meta. Sipas tij, çështja nuk është vetëm ndryshimi i formulimit të neneve përkatëse, por zgjidhja përfundimtare e heqjes së imunitetit dhe, mbi të gjitha, brenda 6 gushtit, ditë e përcaktuar edhe nga Konferenca e Kryetarëve për votimin në seancë parlamentare. “Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme për zgjidhje të çështjes në themelet e saj, ashtu sikurse po kaq e rëndësishme është edhe koha kur realizohet kjo zgjidhje dhe ne mendojmë se të gjitha palët janë të përgatitura për mendimet e tyre të ndryshme në angazhimin për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e imuniteteve. Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim apelon për të përdorur të gjithë kohën, e cila nuk është e pakët deri në 6 gusht për të dhënë një zgjidhje përfundimtare, një zgjidhje edhe kushtetuese, por njëkohësisht në radhë të parë një zgjidhje politike dhe morale”, u shpreh më tej kreu i LSI-së. I pyetur se sa e pengon marrjen e statusit të vendit kandidat qëndrimi kundërshtues i opozitës, Meta tha se “të gjitha pretendimet për rrugët, për mënyrat, për konsultimet që duhen zhvilluar edhe me grupet e interesit, janë të gjitha të arsyeshme, por absolutisht do të ketë dhe një objektiv kohor, ndaj mendojmë që janë tërësisht të mjaftueshme këto ditë e këto javë që kanë mbetur për t’u dhënë një përgjigje tepër transparente dhe serioze të gjitha pretendimeve, në mënyrë që të gjitha palët të votojnë me konsensus ndryshimet që priten për çështjen e imunitetit”.
Diskutimi
Të premten dhe të shtunën, Komisioni i Ligjeve në Parlamentin e Shqipërisë do të zhvillojë diskutimin rreth drafteve të depozituara për kufizimin e imuniteteve. Gjatë këtyre takimeve, do të zhvillohen dhe seanca dëgjimore me konstitucionalistë dhe grupet e interesit, nga të cilët do të merret dhe opinioni.
Topalli: PS jo justifikime, të votojë për në BE
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi dje se në zyrën e saj nuk ka mbërritur asnjë letër nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ku kërkohet shtyrja për në shtator e ndryshimeve kushtetuese, për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në një deklaratë për mediat, Topalli rendit gjashtë fakte, që duhet të merren parasysh nga opozita, që sipas saj, të hiqet dorë nga justifikimet dhe të jepet konsensusi për çështjen e imunitetit. Kryetarja e Kuvendit shpreh çudi për qëndrimin e opozitës, pasi sipas saj në Konferencën e Kryetarëve, Gramoz Ruçi nuk ka shfaqur kundërshtime për projektligjin e depozituar nga PD. “Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me justifikime. Interesi i shqiptarëve është që heqja e imuniteteve të miratohet më datën 6 gusht, për t’i dhënë vendit shansin e merituar në ecjen përpara drejt integrimit europian”, shprehet Topalli.











