TIRANE- Kreu i qeverise ka kerkuar serish sot nga opozita te votoje me 6 gusht per heqjen e imunitetit, ne te mire te shqiptareve dhe te integrimit te vendit ne BE.
Gjate nje deklarate per mediat, zedhenesja e kryeministrit ka akuzuar opoziten dhe liderin e saj Rama se me kete vonese perimunitetin kerkojne te bllokojne per te treten here marrjen e statusit te vendit kandidat.
Deklarata e plote
Heqja e imunitetit për qeveritarët, deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit është sot, kërkesa më themelore për Shqipërinë, klasën e saj politike dhe çdo shqiptar nga Komisioni Europian dhe 28 vendet anëtare, që të votojnë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian.
Pikërisht dje, pas takimit me zotin Rama, ku paraqitën kërkesën për Partinë Socialiste për heqjen e imunitetit, treshja e ambasadorëve deklaroi haptas dhe pa dorashka para mediave se heqja e imunitetit për ministrat, deputetët, gjykatësit dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit ka rëndësi përcaktuese dhe vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.
Por heqja e imunitetit për ministrat, deputetet, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë ka rëndësi vendimtare në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, këtij kanceri të vërtetë social që çdo ditë, nëpërmjet sëmundjeve, papunësisë, mjerimit ekstrem që shkakton merr jetën, fëmijërinë dhe rininë e qindra dhe mijëra qytetarëve të pafajshëm.
Kryeministri Berisha ju rikujton shqiptarëve se Partia Demokratike, kërkesën për heqjen e imunitetit për deputetët, ministrat, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë e paraqiti që në vitin 2003, kur vetë në opozitë përballej me metodat shtypëse të qeverisë së korruptuar socialiste. Por nisma legjislative e Partisë Demokratike u hodh poshtë nga mazhoranca socialiste, e cila, sipas raportit të Bankës Botërore, përvetësonte në taksa dhe dogana mbi 1.4 miliardë dollarë në vit, pará këto të qytetarëve shqiptarë.
Sërish, pas ardhjes në pushtet, në vjeshtën e vitit 2005, Partia Demokratike paraqiti kërkesën ligjore për heqjen e imunitetit mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Përsëri Partia Socialiste refuzoi votimin dhe vuri si kusht për heqjen e imunitetit, ndryshimin e Kushtetutës.
Por në vitin 2008, Partia Socialiste refuzoi ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit, si dhe votimin e ligjit për heqjen e tij të përgatitur bashkërisht po në atë vit. Por edhe tani PS bllokon sërish votimin e amendamenteve për heqjen e imunitetit, amendamente që janë të standardeve më të larta europiane, të hartuara nga ekspertët më të shquar të Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian.
Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën europiane.
Zoti Rama, pra, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi. Ai nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por diktatin e këshillit të miliarderëve me imunitet që e rrethojnë.
Kryeministri i bën thirrje zotit Rama të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij dhe të votojë heqjen e imunitetit.
© Panorama.al











